Ndërlidhjet

GJND më 22 korrik jep mendimin këshillëdhënës


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë ka konfirmuar të mërkurën pasdite edhe zyrtarisht se javën që vjen, më saktësisht më 22 korrik, do të lexohet mendimi i kësaj Gjykate lidhur me deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Do të organizohet një dëgjim publik, të enjten më 22 korrik, gjatë të cilit presidenti i Gjykatës, Hishavi Ovada, do ta lexojë mendimin për Kosovën, thuhet në njoftimin e kësaj Gjykate.

Dëgjimi do të bëhet në sallën e madhe në pallatin e Drejtësisë në Hagë, në të cilin pritet të jenë të pranishëm edhe pjesëmarrësit, si dhe përfaqësuesit e korit diplomatik.

Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kishte kërkuar Serbia dhe në bazë të kërkesës së Serbisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte kërkuar që GJND-ja të japë mendimin e saj.

Ky mendim, siç dihet, është mendim këshillëdhënës dhe nuk e ka fuqinë e një vendimi ligjor.

Shumë shtete i kanë paraqitur argumentet e tyre me shkrim dhe disa edhe në dëgjimet gojore, pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, por pritet që mendimi i Gjykatës të jetë në bazë të të gjitha argumenteve dhe tash për tash nuk mund të paragjykohet .

Megjithatë, shumë diplomatë presin që të jetë një mendim i paanshëm, i cili nuk do të thotë prerazi se a është ose jo shpallja e pavarësisë së Kosovës legale sipas të drejtës ndërkombëtare.

Serbia ka paralajmëruar se pas shpalljes së këtij mendimi do të kërkojë kthimin e çështjes së statusit të Kosovës përsëri në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe Serbia do ta bëjë këtë në përpjekje për të rifilluar negociatat për statusin e Kosovës.

Kosova, ndërkaq, sikurse edhe shumë vende që e kanë njohur pavarësinë e saj, e konsiderojnë pavarësinë si të pakthyeshme dhe kundërshtojnë çdo përpjekje për negociata të reja për statusin.

Në njoftimin nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë thuhet se seanca do të zhvillohet të enjten gjatë pasdites.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian paralajmëron se pas mendimit të Gjykatës, do të ketë disa takime rreth Kosovës dhe se BE-ja do të mbështesë një dialog të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por tash për tash asgjë nuk thuhet zyrtarisht rreth kësaj.
XS
SM
MD
LG