Ndërlidhjet

Jakshiq/Nojkiq: Vendimi i GJND-së neutral, pasojnë bisedimet


Prishtinë
Prishtinë
Prishtina dhe Beogradi tashmë presin që vendimi i 22 korrikut i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë në favor të tyre. Por, politikanët serbë të Kosovës janë skeptikë se ky vendim do të jetë aq i qartë sa të favorizojë njërën apo palën tjetër.

Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut, do të dëshironte që vendimi të jetë pro Serbisë. Por, ai thekson se gjasat më të mëdha janë që ai të jetë neutral.
Vendimi do të jetë neutral, ashtu që të dyja palët mund të shpresojnë se kanë pasur të drejtë...

Vendimi do të jetë neutral, ashtu që të dyja palët mund të shpresojnë se kanë pasur të drejtë. Unë, personalisht, nga partia politike, kam qenë kundër dërgimit të çështjes në GJND. Ideja e partisë sime (Partia Demokratike e Serbisë) ka qenë që të gjitha shtetet, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të paditen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Megjithatë, regjimi i Bors Tadiqit ka vendosur ndryshe”, shprehet Jakshiq.

Ai parasheh një lobim pas vendimit të GJND-së, por jo nga Kosova e Serbia.

“Mendoj se do të gjendet një periudhë, të them ashtu lobimi, por lobim në një bazë mes shteteve perëndimore me në krye Amerikën, që do të jenë pro Kosovës dhe, në anën tjetër, lobimi i Rusisë dhe i Kinës pro Serbisë. Çfarë do të jetë vendimi, do ta tregojë koha”, thotë Jakshiq.

Në anën tjetër, politikani nga Graçanica, Rangjell Nojkiq, thotë se nga vendimi do të ketë të kënaqur dhe të dëshpëruar.

“Opinioni nuk do të jetë i qartë. Pavarësisht se si Prishtina dhe Beogradi do ta pranojnë atë, secili në mënyrën e vet do të jetë i kënaqur, por edhe i dëshpëruar”, thotë Nojkiq.

Edhe pse ky vendim është pritur për pothuaj dy vjet, Nojkiq nuk beson se pas tij do të ketë ndryshim të gjendjes faktike në Kosovë.
...pas vendimit të GJND-së, Prishtina dhe Beogradi do të gjejnë mundësinë për t’u ulur dhe për të biseduar.

“Më duket se në Kosovë nuk do të ndryshojë asgjë domethënëse për shkak se për mua, shumë shtete që janë shumë të rëndësishme, e kanë paraqitur shumë qartë qëndirmin e tyre dhe atë nuk do ta ndryshojnë. Ndërsa, vendimi i GJDN-së mund të jetë vetëm nxitje për negociata të reja për çështje teknike. Por, kur të nisni të bisedoni për çështje teknike, atëherë as statusi nuk do të lihet anash”.

“Kështu që, ajo çka pres unë në këtë moment, më duket se pas vendimit të GJND-së, Prishtina dhe Beogradi do të gjejnë mundësinë për t’u ulur dhe për të biseduar”,
deklaron Nojkiq.

Bisedimet pas GJND-së tashmë janë paralajmëruar. Prishtina ka qenë e prerë duke thënë se do të bisedojë vetëm për çështje teknike dhe se statusi do të jetë i panegociueshëm - qëndrim ky i mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende të BE-së.

Por, Serbia synon që sërish ta shtrojë për diskutim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së statusin e Kosovës. Ka qenë kjo asamble ajo që me shumicë votash e dërgoi kërkesën e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të interpretuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në seancat e mbajtura në këtë gjykatë, vitin e kaluar, 14 shtete kanë dëshmuar pro pavarësisë së Kosovës dhe 12 kundër.
XS
SM
MD
LG