Mitrovicë: Rrahje masive dhe shpërthim
06.09.2010
Radio Evropa e Lirë
Rreth njëqind persona besohet të kenë qenë përfshirë në një rrahje masive mbrëmë në Zveçan, gjatë së cilës së paku dy persona janë lënduar, njofton Policia e Kosovës.
Në një komunikatë për opinion, zyrtarët e rendit sqarojnë se “besohet që grupe qytetarësh serbë, nga veriu i Mitrovicës dhe Zveçani, janë përfshirë në këtë rrahje masive”.
Policia e Kosovës në Zveçan, në pamundësi për ta kontrolluar situatën në qytet, ka kërkuar ndihmë nga policia e EULEX-it, pjesëtarë të së cilës kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll, thuhet në komunikatë.
Gurë dhe gjësende të tjera të forta janë hedhur në drejtim të forcave policore të EULEX-it nga grupet e personave të dyshuar, ndonëse nuk është raportuar për të lënduar nga ana e zyrtarëve të EULEX-it.
Gjatë kohës kur ka ndodhur rrahja masive në qytet, është dëgjuar një shpërthim në oborrin e furrës së bukës, pronë e një shqiptari, në rrugën “Mbreti Petër” në Zveçan. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale.
Autoritetet nuk besojnë se shpërthimi mund të jetë i ndërlidhur drejtpërsëdrejti me rrahjen.
Rrahja masive besohet të ketë qenë e motivuar nga përleshja e një nate më parë në mes të disa të rinjve nga Zveçani dhe Mitrovica, e raportuar të ketë ndodhur në veri të Mitrovicës, ndërsa në atë rast pesë persona, të gjithë të mitur, janë arrestuar dhe ndaluar në lokalet policore.