Nga fundi i kësaj jave, Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë projekt-rezolutën e Serbisë për Kosovën. Beogradi ka edhe pak kohë për të rishqyrtuar tekstin e projektit, madje në interes të vetë Serbisë.
Esenca e problemit të Serbisë konsiston në faktin se refuzon të pranojë se disfata në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik, ishte komplete dhe përfundimtare.
Përkundrazi, ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, dhe lidershipi “evropian” i Boris Tadiqit janë duke vazhduar me politikën e tyre të bankrotuar, e cila nuk pajtohet se Beogradi ka humbur përgjithmonë Kosovën.
Me rezolutën në Kombet e Bashkuara, pavarësisht fiaskos në GJND, Beogradi është duke vazhduar politikën që lideri opozitar, Tomislav Nikoliq, e cilëson “vetëvrasje politike”.
Jeremiq dhe qeveria e tij mbase besojnë se duke çuar inat, në rastin e Kosovës disi do t’ia dalin.
Hiç më larg se para një viti, Bashkimi Evropian, në një formë të marrë, u pajtua që qytetarët e Serbisë të gëzojnë privilegjin e qarkullimit të lirë pa viza, madje para se një gjë të tillë ta kishte bërë për viktimat e Serbisë, përkatësisht për Kosovën dhe Bosnjën.
Zotërinjtë në Beograd ndoshta besojnë se sërish do ta kenë këtë fat. Por, kësaj radhe, Qeveria e Serbisë ka marrë disa sinjalizime nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, se Beogradi duhet të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur, nëse dëshiron t’i bashkohet BE-së.
Ky mesazh është dërguar edhe gjatë tërë vitit përmes intervistave që i kishin dhënë ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.
Me fjalë tjera, ky sinjalizim vjen nga përfaqësuesit e dy vendeve tradicionalisht aleate – Londrës dhe Parisit – dhe nga përfaqësuesi i Berlinit, që paraqet qendrën më të rëndësishme politike dhe ekonomike lidhur me ndërlikimin evropian në Ballkan.
Këto sinjale janë përsëritur disa herë, madje edhe para disfatës në GJND. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Uestervelle, këtë e bëri të qartë gjatë turneut në Ballkan, kur në Beograd tha se Serbia duhet t’i ndalojë lojërat dhe të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur.
Për më shumë, ai në Prishtinë tha se ka ardhur koha që të gjitha vendet anëtare të BE-së ta njohin Kosovën.
Duhet pritur që ai tash fjalët t’i përmbushë me pozicion të ashpër, veçanërisht kundër Greqisë, që vazhdon të shkaktojë probleme për Kosovën dhe Maqedoninë.
Pa gabime mëBeogradit tashmë i janë dhënë një numër vërejtjesh nga vendet anëtare të BE-së, në raport me tekstin e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Serbisë i është thënë se nuk duhet të dorëzojë ndonjë tekst, mbi të cilin nuk pajtohet Brukseli fillimisht. Së fundi, ky mesazh është përçuar edhe nga sekretari i jashtëm britanik, Uilliam Hejg.
Me fjalë të tjera, rezoluta duhet të synojë arritjen e një zgjidhjeje serioze dhe jo të nisë bisedime të pafundme, me qëllimin e vetëm që t’ia mohojë Kosovës pafundësisht vendin që i takon në mekanizmat ndërkombëtarë.
Beogradi thotë se është i gatshëm për “kompromis”, por njerëzit e afërt me kulturën politike në Serbi e dinë se një fjalor i këtillë nënkupton se Beogradi akoma synon të ketë të drejtë mbi marrëdhëniet e një vendi të pavarur, i cili dëshiron të mbetet i lirë nga kontrolli apo përfshirja e Serbisë.
Kam shkruar pikërisht edhe më herët se çështja reale për Serbinë nuk është Kosova – kjo çështje është zgjidhur këtë vit më 22 korrik, nëse jo më 17 shkurt të 2008-ës.
Pyetja kryesore është: kur do të çlirohet Serbia nga kontrolli që biznesmenët ushtrojnë, apo mafia e naftës që e mban pushtetin e vërtetë në këtë vend, që nga ditët e Sllobodan Millosheviqit?
Pse lidershipi “evropian” në Beograd vazhdon të zhvendosë vëmendjen nga këta “biznesmenë”, duke bërë një luftë diplomatike për Kosovën, të cilën Serbia tashmë e ka humbur?
Bashkimi Evropian e ka të qartë se ka gabuar duke pranuar Rumaninë dhe Bullgarinë, para se këto vende të ndërmerrnin hapa seriozë në çrrënjosjen e krimit dhe korrupsionit.
BE-ja gjithashtu e di se ka qenë gabim të pranohet shteti nacionalist grek në Qipro, para se qeveria t’i zgjidhte problemet me fqinjët turq.
BE-ja nuk duket se është e gatshme ta bëjë gabimin e tretë, duke e pranuar Serbinë, e cila është edhe e korruptuar, por edhe jo e gatshme për t’u sjellë me përgjegjshmëri karshi kosovarëve.
Patrick Moore ka shkruar për çështjet ballkanike për afro 35 vjet. Ai ishte analist për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë prej vitit 1977 e deri në vitin 2008.