Ndërlidhjet

Rezoluta e ndryshuar e Serbisë e dorëzuar në OKB


Asambleja e Përgjithshme
Asambleja e Përgjithshme

Serbia i ka paraqitur Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara projekt-rezolutën për Kosovën që është harmonizuar me Bashkimin Evropian, raportojnë agjencitë serbe të lajmeve.

Përmbajtja e saj komplete është si vijon:

a) Të vetëdijshëm për qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara;

b) Duke pasur parasysh funksionet dhe autorizimet mbi bazën e Kartës së Kombeve të Bashkuara;

c) Duke rikujtuar rezolutën 63/3 nga 8 tetori i vitit 2008, me të cilën kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të japë mendimin këshillëdhënës lidhur me pyetjen: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga ana e institucioneve të përkohshme të vetadministrimit në Kosovë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”?;

d) Duke pranuar me respekt mendimin këshillëdhënës të GJND-së më 22 korrik 2010 nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe pas shqyrtimit të kujdesshëm të së njëjtës, duke përfshirë edhe çështjen, për të cilën është dhënë mendimi;

e) Ka në dijeni përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës të GJND-së për atë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Kosovën, duke përfshirë edhe kërkesën e Kuvendit të Përgjithshëm;

f) Përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Evropian që ta lehtësojë procesin e dialogut ndërmjet palëve. Procesi i dialogut vetvetiu do të ishte faktor paqe, sigurie dhe stabiliteti në rajon. Ky dialog do të kishte për qëllim avancimin e bashkëpunimit, të realizojë avancim në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe të përmirësojë jetën e njerëzve. (m.k)




* * * * * *
Serbia e ndryshon rezolutën për Kosovën

Qeveria e Serbisë i ka miratuar konkluzat, me të cilat autorizohet Ministria e Jashtme që të paraqesë propozimin e ndryshuar të rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ky është rezultat i marrëveshjes së djeshme të presidentit serb, Boris Tadiq, dhe kryediplomates së Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, në Bruksel.

Në tekstin e ndryshuar, të cilin Serbia e ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme, mungojnë formulimet për "papranueshmërinë e secesionit të njëanshëm", si dhe thirrja që përmes dialogut të zgjidhen të gjitha "çështjet e hapura".

Në tekstin e ri është shtuar fjalia se Asambleja e Përgjithshme e KB e "përshëndet gatishmërinë e BE-së për ta lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve".

"Procesi i dialogut do të ishte faktor i paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Ky dialog do të kishte për qëllim përparimin e bashkëpunimit, të realizojë progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe ta përmirësojë jetën e njerëzve".

Presidenti Boris Tadiq tha se rezoluta e përbashkët e Serbisë dhe BE-së do të mundësojë dialog për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e cila do të konfirmohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

"Emëruesi i përbashkët që u arrit është fryt i kompromisit, i cili nënkupton se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është gjetur formula, me të cilën hapet dialogu për zgjidhjet e ardhshme, e cila thirret në Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe e cila nuk e përmban njohjen e pavarësisë së Kosovës në asnjë mënyrë", thuhet në deklaratën me shkrim të presidentit Tadiq.

Teksti i projekt-rezolutës është harmonizuar të mërkurën me të gjitha partitë në koalicion dhe partitë opozitare në Serbi.

Në komunikatën e Qeverisë në Beograd thuhet se dokumenti, tek i cili është arritur në bashkëpunim me BE-në, është plotësisht në pajtim me vendimin e parlamentit të Serbisë të datës 26 korrik, 2010.

Në njoftim theksohet se me tekstin e harmonizuar, mbyllet procesi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Më tutje, në projekt-rezolutë bëhet thirrje për dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili, siç thuhet, është në pajtim me qëndrimin parimor të Serbisë se vetëm përmes bisedimeve mund të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët lidhur me çështjen e Kosovës.

Në tekst thuhet se me propozim-rezolutën në asnjë mënyrë nuk njihet pavarësia e Kosovës.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se propozimi i mundëson Republikës së Serbisë që të vazhdojë t'i mbrojë interesat legjitime dhe kombëtare të saj në mënyrë paqësore dhe diplomatike, në bashkëpunim me BE-në dhe të gjithë faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë.

Diskutimet dhe votimi mbi projekt rezolutën e Serbisë për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, janë paralajmëruar për 9 shtator.(v.p.)
XS
SM
MD
LG