Ndërlidhjet

Gjermania mirëpret ndryshimin e propozim-rezolutës


Guido Vestervele
Guido Vestervele
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervele, ka mirëpritur vendimin e Serbisë për të ndryshuar propozim-rezolutën kundërthënëse lidhur me Kosovën, të dërguar nga Beogradi për diskutim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Ky është një sinjal i qartë se Serbia e shikon të ardhmen në BE”, tha Vestervele. Ai shtoi se hapi i ndërmarrë nga Tadiqi ishte i rëndësishëm dhe “një sukses i politikës së jashtme evropiane”.

Në tekstin e ri të propozim-rezolutës Serbia ka hequr dorë nga kërkesat “për të dënuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës” dhe për “rifillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës”.

Dokumenti i ri “mirëpret gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar procesin e dialogut” mes Serbisë dhe Kosovës.

Ministri i Jashtëm gjerman u ka bërë thirrje të gjitha palëve “të fillojnë bisedimet me shpejtësi dhe të arrijnë rezultate konkrete për popullsinë”.

Një ditë më parë, shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, ka mirëpritur vendimin e Serbisë, i cili shkaktoi reagime të ndryshme në Beograd dhe në mesin e serbëve të Kosovës.

“U bëj thirrje të gjithë politikanëve në rajon të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive, në frymën e së ardhmes së përbashkët evropiane”, tha Gudio Vestervele.

Propozim-rezolutën e ndryshuar e ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq. Asambleja pritet të debatojë mbi dokumentin në fjalë mbrëmjen e sotme.(i.b)
XS
SM
MD
LG