E shtunë, tetor 25, 2014 Kosova 01:49

Kronika

Riatdhesimi: Politika dhe të drejtat e njeriut

Franca ka nisur riatdhesimin e qindra romëve, kryesisht në Rumani dhe Bullgari.
Franca ka nisur riatdhesimin e qindra romëve, kryesisht në Rumani dhe Bullgari.
Qeveria e Kosovës është shprehur e vendosur që të vazhdojë nënshkrimin e marrëveshjeve për riatdhesimin dhe riintegrimin e personave, të cilët kanë migruar nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian.

Deri më tani, Kosova ka nënshkruar marrëveshje të tilla me Gjermaninë, Danimarkën, Zvicrën, Francën, Belgjikën dhe Shqipërinë, ndërsa në javët dhe muajt e ardhshëm pritet të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve të këtij lloji edhe me 6 shtete të tjera.

Përmes një deklarate me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Brendshme beri të ditur se “marrëveshjet për riatdhesim janë duke u negociuar dhe afërsisht të gatshme për nënshkrim me Austrinë, e cila pritet të nënshkruhet më 30 shtator, pastaj me Norvegjinë, Slloveninë, Holandën, Luksemburgun dhe Hungarinë”.

Mirëpo, ekzekutivi kosovar vazhdon të jetë në qendër të kritikave të organizatave vendore e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, kur bëhet fjalë për riatdhesimin dhe riintegrimin e romëve në Kosovë.

Vlerësohet se që nga viti 1990 vetëm në Gjermani janë zhvendosur 50 mijë romë nga vendet e ish-Jugosllavisë. Aktualisht, mbi 11700 romë nga Kosova që jetojnë në Gjermani, do të jenë të detyruar që në të ardhmen të kthehen në Kosovë.

Muajin e kaluar, Franca filloi riatdhesimin e qindra romëve, kryesisht në Rumani dhe Bullgari - temë e cila vazhdon të jetë çështje diskutimi në Brukselin zyrtar.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti, nga vendet evropiane në Kosovë janë kthyer 533 persona. Nga këta thuhet se 107 janë të komunitetit rom, ndërsa 50 të atij ashkali.

Gjendja e romëve në Kosovë vlerësohet të jetë më e vështirë sidomos për ata që jetojnë në veri të vendit - në kampet Qesmin Lluk dhe Osterod. Njoftohet se në këto kampe vazhdojnë të jetojnë 80 familje rome.

Qazim Gushani, banor i Lagjes së Romëve në jug të Mitrovicës, është kthyer në Kosovë në vitin 2006. Ai bëri të ditur se në bashkëpunim me institucionet vendore dhe organizata të ndryshme joqeveritare, në Lagjen e Romëve janë kthyer 50 familje nga kampet në veri.

“Momentalisht i kam tërhequr 50 familje prej kampeve dhe i kam sjellë në lagje. Në dy kampet kanë mbetur edhe 80 familje”, tha ai.

Karshi kushteve të tjera teknike, riatdhesimi dhe riintegrimi i personave të riatdhesuar vlerësohet të jetë një nga çështjet kryesore, të cilën Bashkimi Evropian pritet ta marrë parasysh për Kosovën gjatë procesit të liberalizimit të vizave.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, tha se institucionet kosovare po e lënë anash aspektin njerëzor gjatë përmbushjes së kritereve për liberalizim vizash.

Ai u shpreh pesimist lidhur me integrimin e romëve, të cilët pritet të kthehen në të ardhmen në Kosovë, dhe tha se është vështirë të shpresohet në suksese, nëse merren parasysh të arriturat e institucioneve në drejtim të përmirësimit të gjendjes në kampet e romëve në veri të Kosovës.

“Nëse një shoqëri apo një komunitet ndërkombëtar nuk ka qenë në gjendje të rehatojë një numër aq të vogël të romëve, të cilët kanë qenë të vendosur në veri e që ende nuk i kanë rehatuar të gjithë, atëherë si do t’i rehatojë me mijëra të tjerë, të cilët do të vijnë nga shtetet perëndimore...”.

“Unë mendoj se Qeveria e Kosovës nuk do t’ia dalë që t’i rehatojë ata njerëz dhe ata përsëri do ta marrin rrugën e mërgimit dhe do të shkojnë në shtetet e tjera”,
tha Shala.

Për të realizuar procesin e riatdhesimit dhe të riintegrimit të personave të kthyer, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se ka ndarë nja fond fillestar prej 300.000 eurosh, shumë e cila pritet të shkojë deri në 500.000 euro për vitin 2010. Ndërsa për vitin 2011, thuhet se po bëhen përpjekje për alokimin e 3.5 milionë eurove që do t’i dedikoheshin këtij procesi.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum