Ndërlidhjet

Pa marrëveshje për datën


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka zhvilluar të premten një takim të përbashkët me subjektet politike, nga të cilat ka marrë opinione në lidhje me datën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Pas takimit, Krasniqi ka thënë se nuk është arritur ndonjë marrëveshje, por konsultimet do të vazhdojnë edhe javën tjetër.


Ka përfunduar pa marrëveshje rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme takimi i përbashkët i ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me partitë politike të përfaqësuara në Parlament.

Shumica e subjekteve politike mbështet javën e fundit të shkurtit, apo javën e parë të marsit si datë për organizimin e zgjedhjeve, përderisa partia më e madhe, Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar fundin e janarit apo më së largu javën e parë të shkurtit.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, ka thënë se do t’i vazhdojë konsultimet duke besuar se do të gjendet një datë kompromisi, në mënyrë që të mos vijë deri te ushtrimi i kompetencave kushtetuese që i mundësojnë atij të shpallë datën edhe pa marrëveshje.

“Ne do të kemi konsulta edhe me KQZ-në që ta dimë saktësisht se cili do të jetë afati optimal për t’u konstituuar institucionet që dalin nga zgjedhjet e lira. Ne e dimë se 28 marsi Kosovën duhet ta gjejë me Parlament të konstituuar, kryetar të Parlamentit, si dhe me president të zgjedhur. Kjo është e domosdoshme”,
ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka bërë të ditur se ndërkohë mund të bëhen disa ndryshime në Ligjin për zgjedhjet, në mënyrë që të shkurtohen disa afate për ankesa e parashtresa, ashtu që edhe nëse përcaktohet data për fundin e shkurtit, të ketë një periudhë të caktuar pas ditës së zgjedhjeve për konstituimin e institucioneve të reja.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se partia e tij mbështet organizimin e zgjedhjeve në javën e parë të marsit. Sipas Sejdiut, nga data 6 deri më 28 mars ka kohë të mjaftueshme që të zgjidhen institucionet e reja.

“Qëndrimi i LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) është prezantuar dhe do të jetë në vazhdimësi në pjesën e konsulencave, që ato të jenë brenda afateve ligjore e kushtetuese, zgjedhje të parakohshme. Kjo nënkupton fillimin e muajit mars, që është data e 6 marsit, në mënyrë që të jetë e përshtatshme për përfundimin e procesit të konstituimit të institucioneve të dala nga vota e lirë e qytetarëve”,
është shprehur Sejdiu.

Qëndrime të ngjashme me LDK-në rreth datës së zgjedhjeve ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Burim Ramadani, ka pohuar se 6 marsi garanton respektimin e afateve kushtetuese, nëse bëhen ndryshime në Ligjin për zgjedhjet.

“Absolutisht që 6 marsi është periudhë e nevojshme dhe e mjaftueshme për t’u mbajtur zgjedhjet dhe për t’u certifikuar rezultati dhe që të konstituohet parlamenti i ri pas datës së zgjedhjeve, në mënyrë që të arrihen afatet kushtetuese të 28 marsit”, ka pohuar Ramadani.

Mes afateve të propozuara nga janari deri në mars, partitë tjera është thënë se kanë prezantuar si mundësi edhe datat 20 apo 27 shkurt. Sidoqoftë, të gjitha këto data dhe afate mbeten çështje diskutimi edhe për ditët e ardhshme.

Ndërsa nuk ishte arritur marrëveshje në lidhje me datën, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, ka theksuar se të gjitha partitë politike janë pajtuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por jo edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme.
XS
SM
MD
LG