Ndërlidhjet

KQZ: LDK e AAK në balotazh


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Kryeziu, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi, do të garojnë në balotazh për kryetar të komunës së Rahovecit.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, ku u publikuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.

Sipas këtyre rezultateve, kandidati i LDK-së ka fituar 27.65, për qind të votave, ai i AAK-së, 26.71 për qind të votave; pastaj radhiten Xhelal Canziba PDK-së me 26,55 për qind të votave, Rexhep Oruçi nga AKR-ja me 16,54 për qind të votave dhe Luljeta Kadiri nga LDD-ja me 2.55 për qind të votave.

Përcaktimi i kandidatëve që do të garojnë sërish për postin e të parit të Rahovecit u bë pas numërimit të 269 votave të vlefshme nga gjithsej 452 votat me kusht.

Mirëpo, kryeshefi i sekretarit të KZQ-së, Xhemajl Peqani, tha se në rezultatet përfundimtare nuk është përfshirë dhe numërimi i 457 votave të tri vendvotimeve të tjera.

“Në rezultatet preliminare është bërë një gabim teknik nga Komisioni Komunal në dërgimin e rezultateve nga zyrtarët për dërgimin e rezultateve dhe nuk janë përfshirë tri vendvotime në rezultatet preliminare. Kjo do të thotë se në Qendrën e Numërimit kanë ardhur edhe njëherë ato rezultate dhe tash janë”,
bëri të ditur Peqani.

Lidhur me këto vota, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pati kritikuar mekanizmat përgjegjës zgjedhor duke thënë se gjatë procesit elektoral të së dielës kjo parti ka gjetur tre formularë nga tri vendvotime, në të cilët figuron se kandidatit të AAK-së i është zbritur numri i votave të numëruara.

AAK-ja kishte deponuar ankesën e saj në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili në vendimin që mori gjatë ditës e cilësoi si të bazuar ankesën, ndërsa urdhëroi KQZ-në që t'i numërojë fletëvotimet në qendrat në fjalë.

Kritika e AAK-së për mospërputhjen e të dhënave në terren me rezultatet preliminare të zgjedhjeve, votimet familjare dhe, siç thuhet, disa parregullsi të vogla në vendvotime, megjithatë thuhet se nuk kanë dëmtuar procesin zgjedhor në Rahovec.

Kreu i rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu, shprehu bindjen se KQZ-ja do të jetë e gatshme të menaxhojë ecurinë e procesit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, duke theksuar se me zgjedhjet në Rahovec ajo ka kaluar një lloj “testi”.

“Unë mendoj se ka qenë një përgatitje e mirë teknike e zgjedhjeve për Rahovecin dhe, si rezultat i saj, shohim se subjektet politike absolutisht nuk kanë asnjë ankesë për rrjedhën teknike ose përgatitjen, e cila është bërë nga KQZ-ja për ditën e Rahovecit”
, theksoi Kryeziu.

Balotazhi për Rahovecin pritet të zhvillohet më 19 dhjetor. Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune u zhvilluan pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Qazim Qeska.
XS
SM
MD
LG