Ndërlidhjet

KQZ: PDK fiton 32%, LDK 24.7%, VV 12.6%...


Pamje Prishtina
Pamje Prishtina

Rivotimet e së dielës në pesë komuna të Kosovës sërish nuk kanë nxjerrë rezultatin final të zgjedhjeve parlamentare që i rendit partitë politike në nivel vendi, meqë më 23 janar do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës.

Sidoqoftë, KQZ-ja i shpalli rezultatet preliminare pa Mitrovicën, por duke përfshirë rivotimet e djeshme. Sipas këtyre rezultateve, PDK-ja në nivel vendi, pa Mitrovicën, ka fituar 32.0 për qind, LDK-ja 24. 7 për qind, Vetëvendosje 12.6 për qind, AAK-ja 11.2 për qind, AKR-ja 7.3 për qind, ndërsa LDD-ja dhe FeR-i nuk kanë mundur të kalojnë pragun, meqë secila ka marrë nga 2.2 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se është e pamundur të dilet tash me rezultatet përfundimtare, ndërsa bëri të ditur se rezultatet preliminare të publikuara të hënën, kanë përfshirë edhe votat e rinumëruara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

“I gjithë rinumërimi është kryer, janë rinumëruar të gjitha kutitë, por ne nuk mund të dalim me rezultate të pjesshme. Do të dalim me rezultate atëherë kur t’i kemi të gjitha rezultatet edhe për Mitrovicën, edhe rezultatet e rivotimit të djeshëm, sepse rezultatet e rivotimit të djeshëm ende nuk janë futur në sistem”, ka thënë Daka.

Daka ka bërë të ditur se në rivotimin e djeshëm, PDK-ja ka fituar në Skënderaj, Drenas, Malishevë dhe në Lipjan. Ndërsa, AAK-ja ka fituar në Deçan.

Pritet që i tërë procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit të përfundojë pas rivotimit më 23 janar në Mitrovicë, rivotim ky që pason vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila pati vendosur që në 24 qendra votimi të përsëriten zgjedhjet për shkak të parregullsive. KQZ-ja ka vendosur që zgjedhjet të përsëriten në tërë komunën.

“I tërë procesi pritet të përfundojë pas rivotimit në Mitrovicë dhe të priten afatet ligjore për ankesat eventuale dhe besoj se përfundimisht ky edhe është fundi i këtyre zgjedhjeve”,
tha Daka.

Sikurse zgjedhjet e 12 dhjetorit, ashtu edhe rivotimi i djeshëm në pesë komuna është kritikuar nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pranojnë se ndër parregullsitë që janë evidentuar, ka qenë ndërprerja e energjisë elektrike dhe votimi familjar, presioni ndaj komisionarëve.

Por, Valdete Daka ka deklaruar se KQZ-ja nuk e bart përgjegjësinë për parregullsitë që ndodhin në terren.

“Askund nuk është thënë që KQZ-ja është fajtore për këtë apo që është përgjegjësi e KQZ-së. Është përgjegjësi e asaj që ka ndodhur në terren, sepse sa i përket raportit, ai nuk thotë se zgjedhjet nuk janë organizuar ashtu siç është dashur, por ajo çka ka ndodhur në terren u takon atyre që e bartin procesin në terren”, ka deklaruar Daka.

Që nga viti 2009 Kosova është duke kaluar nëpër procese të përsëritura zgjedhore. Zgjedhjet lokale të 2009-ës u shoqëruan me parregullsi të evidentuara nga subjektet politike, për çka zgjedhjet u përsëritën në disa komuna.

Procesi nuk u përmbyll deri në vitin 2010, kur edhe u mbajtën zgjedhjet parlamentare, për të cilat po ashtu pati vërejtje dhe, rrjedhimisht, përsëritje të votimeve në komunat ku mashtrimet thuhej se ishin më të mëdha.

Lexoni edhe këto:

Feith: 9 janari ndikon në imazhin e Kosovës
Rezultatet preliminare të DV-së
XS
SM
MD
LG