Ndërlidhjet

Vazhdon debati për koalicione


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Partitë politike në Kosovë vazhdojnë debatin në lidhje me formimin e qeverisë së ardhshme. Përderisa PDK-ja ka paralajmëruar tashmë se do të krijojë një qeveri të re në një afat rekord, LDK-ja insiston në organizimin e zgjedhjeve të reja pas një procesi reformash.



Zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit po hyjnë në fazën finale me rivotimet e ardhshme në Mitrovicë. Vetëm atëherë, partitë politike pritet t’i zyrtarizojnë negociatat që aktualisht po zhvillojnë në lidhje me koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Përderisa zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, si partia e parë në bazë të rezultateve preliminare, nuk kanë dashur të deklarohen në lidhje me bisedimet që po zhvillojnë me partitë tjera politike rreth koalicionit të ardhshëm, në Lidhjen Demokratike të Kosovës përsëritet qëndrimi se Kosova mund të ketë një qeveri të mirë, vetëm nëse organizon paraprakisht një proces të ri dhe të shëndoshë zgjedhor.

Arben Gashi, anëtar i Kryesisë së LDK-së, thotë se pajtohet edhe me mesazhet e përfaqësuesve ndërkombëtarë se Kosovës i duhet një qeveri e mirë. Por, parakushtet për një qeveri të tillë, sipas tij, krijohen përmes zgjedhjeve të mira.
Si zgjidhje e përkohshme duhet të formohet një qeveri gjithëpërfshirëse dhe brenda një afati optimal të shkohet në zgjedhje...

“Për të pasur Kosova një qeverisje të mirë, çfarë i duhet, si zgjidhje e përkohshme duhet të formohet një qeveri gjithëpërfshirëse dhe brenda një afati optimal të shkohet në zgjedhje, në mënyrë që të krijohen situata dhe rrethana, në të cilat Kosova do të ketë institucione dhe qeveritarë të përgjegjshëm”.

“Kjo - në një afat optimal prej 6-7 muaj, si kohë për organizimin dhe dizajnimin e sistemit, i cili do të ishte sistem demokratik”,
thotë Gashi.

Ndërsa LDK-ja angazhohet për një qeveri kalimtare deri në zgjedhjet e reja të parakohshme, mediat lokale paralajmërojnë koalicionin në mes të PDK-së dhe AAK-së. Një informacion i tillë nuk është konfirmuar nga asnjëra prej këtyre dy partive politike.

Si pjesë e formulave të ardhshme qeverisëse ishte në vazhdimësi edhe emri i Koalicionit për Kosovë të Re. Por, zyrtarja e tij, Mimoza Kusari-Lila, thotë se pozicioni mbetet i njëjtë, se ky koalicion nuk hyn në marrëveshje me asnjë subjekt tjetër pa u përmbyllur fillimisht i gjithë procesi zgjedhor.
Do të varet tërësisht nga ditët në vijim se si do të përfundojë ky proces dhe sa do të mbetet kredibilitet nga i gjithë ky proces...

“Ka qenë tepër shqetësuese në vazhdimësi, se nuk ka ende rezultat final dhe çdo gjë është duke u bazuar në rezultatet preliminare. Do të varet tërësisht nga ditët në vijim se si do të përfundojë ky proces dhe sa do të mbetet kredibilitet nga i gjithë ky proces, i cili, siç po shihet, ka pasur dhe është përcjellë me mangësi të mëdha”, thekson Kusari-Lila.

Me rivotimet e ardhshme në Mitrovicë, që sipas paralajmërimeve do të organizohen të dielën tjetër, besohet se procesi do të përmbyllet.

Menjëherë pas certifikimit të rezultatit dhe konstituimit të Parlamentit, mbase mbetet të shihet edhe formula e ardhshme qeverisëse, që do të paraqitet nga ana e partisë fituese dhe partnerëve.

Por, LDK-ja mendon se e ka mbështetjen e nevojshme të spektrit politik që vendi të shkojë në një proces të ri zgjedhor, duke kaluar përmes një qeverie gjithëpërfshirëse.

Këtë ide e ka mbështetur edhe një pjesë e madhe e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Ju kujtohet edhe zonja Lunaçek e tha të njëjtin pozicion, e po ashtu edhe shumica e partive e kanë të njëjtin pozicion”.

“Pra, ato janë të interesuara që në një kohë optimale në Kosovë të organizohen zgjedhje, në mënyrë që të kemi përfaqësues dhe përfaqësim direkt, të dinjitetshëm dhe demokratik të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”,
thotë Gashi.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se cili do të jetë pozicioni i partive politike pas konstituimit të parlamentit në raport me qeverisjen e ardhshme. Sipas Kushtetutës, partia e parë e ka rastin e para të provojë formimin e qeverisë dhe vetëm nëse dështon, vijnë në shprehje opsionet tjera.
XS
SM
MD
LG