Ndërlidhjet

Liria e fjalës në shënjestër të qeverisë


Shkup (Foto arkivi)
Shkup (Foto arkivi)
Gazetarët e disa mediave në Maqedoni thonë se fjala e lirë në këtë vend vazhdon të jetë në shënjestër të pushtetit, i cili synon kontrollin e punës së tyre. Kjo, sipas Aleksandar Çomovskit nga televizioni A1 dhe Hisen Saliut nga gazeta Lajm, është intensifikuar pas ndërhyjes dhe paraburgosjes së Velija Ramkovskit, pronarit të disave mediave. Nga shoqata e gazetarëve shprehen të shqetësuar për këtë situatë.


Gazetaria në Maqedoni thuhet se vazhdon të veprojë nën presionin gjithnjë e më të shtuar të partive politike, varësisht pozicionit të tyre. Por, presionet bëhen në veçanti nga pushteti, i cili edhe përdor të gjithë mekanizmat e mundshëm për të vënë nën kontroll apo për të imponuar politika redaktuese sipas interesave të tij, vlerësojnë gazetarët e disa mediave në Maqedoni.

Komentet e tyre pasojnë zhvillimet kryesisht me televizionin A1 dhe disa gazeta të tjera, që janë në pronësi të biznesmenit Velija Ramkovski, i cili tanimë disa javë ndodhet në paraburgim lidhur me akuzat për keqpërdorime financiare.

Ky rast paraqet një nga mejdanet historike, nga i cili duket se tani e tutje asgjë nuk do të jetë e njëjtë, si për televizionin A1, por, për kënaqësinë time them, edhe për mediumet tjera, të cilat tani janë rreshtuar si armiq të televizionit A1, duke mos respeketuar profesionin e gazetarit, parimet themelore dhe normat etike gazetareske. Thjesht, ato janë vënë në funksion të politikës qeveritare kundër këtij mediumi dhe gazetarëve të tij”, shprehet Aleksandar Çomovski, redaktor në televizionin A1.

Ai thotë se derisa të ketë një qasje të këtillë ndarëse të mediave, që i jep forcën pushtetit të ndërhyjë ndaj fjalës së lirë, vështirë se do të mund të hiqen presionet e politkës ditore ndaj mediave.

Edhe Isen Saliu, kryeredator i gazetës Lajm, thotë se rasti me mediumet në pronësi të Velija Ramkovskit dëshmon se pushteteti aktual, prioritet parësor ka vendosjen e diktatit mbi mediumet.

Presioni i pushtetit dhe i grupeve të tjera të interesit është mjaft i madh. Këtë e dëshmon edhe rasti me telvizionin A1. Mënyra se si u bë ndërhyrja atje, deklaratat kontradiktore se ky televizion nuk është cak i aksionit, pastaj argumentet e shumta se pikërisht ky televizion ka qenë në shënjestër të aksionit, janë shembujt më eklatantë se presioni ndaj mediave në Maqedoni është një dukuri e pranishme në nivele mjaft të larta”, deklaron Saliu.

Nga shoqata e gazetarëve të Maqedonisë gjithashtu shprehin indanjtën lidhur me ngufatjen e lirisë së shprehjes në vend dhe kërkojnë nga politikanët që të mos i shfrytëzojnë mediat për pastrim të llogarive të tyre politike.

“Është shqetësuese se mediat në Maqedoni janë politizuar në skajshmëri. Ne, si shoqatë, jemi mjaft të shqetësuar dhe është fatkeqësi që pikërisht gazetarët janë bajraktarët që udhëheqin këtë qërim hesapesh politike përmes mediave. Gazetarët nuk guxojnë, nuk duhet të harrojnë se janë në shërbim të opinionit publik dhe të informimit të drejtë të opinionit, e jo në shërbim të interesave të ndryshme politike, të biznesit apo të ndonjë interesi tjetër”, thotë Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Ai paralajmëron se për situatën në të cilën ndodhet gazetaria në Maqedoni, do të takohet me të gjithë liderët politikë në vend, që ata ta kuptojnë rëndësinë që ka për vendin pavarësia e mediumeve.

Selmani thotë se duhet bërë çmos që këtë vit të mos përsëritet raporti i vitit të kaluar i Komisionit Evropian, në të cilin mediat ishin ndër fushat më të kritikuara.

Shqetësuese vlerësohen edhe të dhënat e Organizatës Reporterët pa Kufij, ku prej vendit të 34-të, Maqedonia ka zbritur në vendin 68 në listën botërore të lirisë së mediave.
XS
SM
MD
LG