Ndërlidhjet

Thesari politik i presidentit Rugova


Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, në Radion Evropa e Lirë, në Pragë.
Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, në Radion Evropa e Lirë, në Pragë.
Në 5-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, personalitete të shumta politike e vlerësuan lart figurën dhe rolin e tij në bërjen e shtetit të Kosovës. Pavarësia dhe miqësia e Kosovës me botën demokratike perëndimore, janë vlerësuar se personifikohen me figurën e Rugovës.


Figura e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, personifikon pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, u tha sot në akademitë përkujtimore që u organizuan në pesë vjetorin e vdekjes së tij.

Presidenti Rugova është një nga figurat e mëdha të historisë së Kosovës që tërë jetën u angazhua për liri e pavarësi, tha kryeministri në largim, Hashim Thaçi.

Këto komente, ai i bëri gjatë një akademie përkujtimore që po mbahej nën patronatin e tij, e ku morën pjesë dhe krerët e LDK-së, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, si dhe përfaqësues të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.
Me politikën paqësore ai ishte kultivues i frymës ofruese, tolerante dhe pluraliste edhe brenda shoqërisë kosovare.


“Me urtësi dhe qartësi politike dr. Ibrahim Rugova ishte i orientuar drejt nga vlerat Perëndimore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian (edhe në orientimin kulturor ishte në kërkim të rrënjëve të antikitetit iliro – dardan). Me politikën paqësore ai ishte kultivues i frymës ofruese, tolerante dhe pluraliste edhe brenda shoqërisë kosovare”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri në largim, Thaçi, tha po ashtu se ai ndihej i privilegjuar që ishte bashkë-nënshkrues me Rugovën i Marrëveshjes së Rambujesë. Kurse, konsideratën institucionale për familjen Rugova, Thaçi tha se shteti e shpreh përmes Ligjit për familjen e Presidentit, si mbrojtje institucionale.

Një akademi tjetër përkujtimore organizoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Rugova ishte njeriu që i vuri themelet e shtetit të Kosovës duke siguruar edhe mbështetjen e botës demokratike për këtë qëllim.

Ibrahim Rugova pati guximin që në kohërat më të vështira të dalë në ballë të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, duke e bërë legal vullnetin politik të popullit të saj, tha Mustafa.
Presidenti Rugova na ka lënë një trashëgimi të begatshme politike, një thesar politik, i cili është vizioni më i mirë për të ardhmen e këtij
vendi.


“Presidenti Rugova na ka lënë një trashëgimi të begatshme politike, një thesar politik, i cili është vizioni më i mirë për të ardhmen e këtij vendi. Vepra, personaliteti dhe emri i tij do të jenë të përhershme për Lidhjen Demokratike, për Kosovën dhe për qytetarët e Kosovës. Ne, sot e përherë, përulemi para veprës historike të Presidentit Rugova, sepse vepra e tij është Kosova e pavarur”, theksoi Mustafa.

Pjesëmarrëse në akademi ishte edhe familja Rugova. I biri i presidentit të ndjerë, Ukë Rugova, i cili në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e listës zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe jo e LDK-së, ftoi gjithë spektrin politik që t’i lërë anash ndasitë dhe të bashkohet në vizionin për zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Sot na duhet më shumë se kurrë filozofia e presidentit Rugova.


“Fryma e bashkimit dhe afrimit të njerëzve ka qenë në shpirtin e Presidentit Rugova. Sot na duhet më shumë se kurrë filozofia e Presidentit Rugova. Ne duhet të bashkohemi për hir të Kosovës, ashtu siç i bashkoi Presidenti Rugova të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”, u shpreh Ukë Rugova.

Gjatë ditës, personalitete të shumta politike, si edhe qytetarët, kanë bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, tha se Kosovës sot po i mungon një lider i përmasave të Rugovës.
Ndoshta në këtë kohë duhej të kishim një lider të përmasave të dr.Ibrahim Rugovës, sepse jemi në një udhëkryq...


“Ndoshta në këtë kohë duhej të kishim një lider të përmasave të dr.Ibrahim Rugovës, sepse jemi në një udhëkryq dhe kemi nevojë për qetësi vepruese për unitet të theksuar dhe të ndihemi vërtet krenarë në rrugën që e patëm, e mjerisht as partitë e as popullata nuk po e gjejnë veten në një lumturi të nevojshme”, tha Daci.

Vepra dhe trashëgimia politike eë Ibrahim Rugovës është vlerësuar si angazhim jetësor për ta forcuar Kosovën si shtet ligjor dhe demokratik, të inkuadruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
XS
SM
MD
LG