Ndërlidhjet

Feith: Edhe Kosova përfiton nga dialogu


Piter Feith
Piter Feith
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, tha se në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës palët do të flasin si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Ai përjashtoi tërësisht mundësinë e diskutimit për çështjen e statusit dhe të integritetit territorial të Kosovës, apo edhe të ndarjes së saj. Në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan të Kosovës, Feith theksoi se nga dialogu do të kenë përfitime si Serbia, ashtu edhe Kosova.


Një ditë pasi që nisi dialogu mes Kosovës e Serbisë, përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Piter Feith, heq dilemat se do të mund të hapet çështja e statusit dhe integritetit territorial.

Feith e sheh si mundësi të mirë për Kosovën hapjen e dialogut nën ndërmjetësimin e BE-së.
Mendoj se është e qartë se këto bisedime nuk do të jenë për status ...

“Qeveria e re ka mundësinë që nga dialogu i sinqertë dhe konstruktiv ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, e theksoj si shtete të pavarura dhe sovrane, të identifikojë dhe zgjidhë çështje të interesit praktik për të mirën e popujve të të dy shteteve”.


“Mendoj se është e qartë se këto bisedime nuk do të jenë për status dhe se statusi dhe integriteti territorial i Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë i hapur për bisedime. Çështjet e mundshme që do të diskutohen, mund të përfshijnë dokumentet e udhëtimit, telekomunikimin, energjinë dhe personat e pagjetur”,
tha Feith në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan në Prishtinë.

Ai hodhi poshtë pohimet se nga ky dialog do të përfitojë vetëm Serbia, e cila pritet ta marrë statusin e kandidatit nga BE-ja.

Feith shprehu besim te kabineti i baroneshës Eshton, nën ndërmjetësimin e së cilës është zhvilluar takimi i parë i shefave të ekipeve të bisedimeve të Prishtinës dhe Beogradit. Ai përmendi liberalizimin e vizave, si një ndër përfitimet për Kosovën, edhe pse vetë pranoi se ky proces do të marrë kohë.
Më i rëndësishmi është procesi i liberalizimit të vizave, për të cilin nuk i takon vetëm Komisionit të vendosë, por edhe një numri shtetesh anëtare që kanë shqetësime legjitime për lëvizjen e lirë...

“Më i rëndësishmi është procesi i liberalizimit të vizave, për të cilin nuk i takon vetëm Komisionit të vendosë, por edhe një numri shtetesh anëtare që kanë shqetësime legjitime për lëvizjen e lirë, për azilkërkuesit etj. Mund të marrë kohë”,
theksoi Feith, i cili shpjegoi se në ofrimin e këtyre programeve për Kosovën, nuk do të ketë pengesa nga pesë shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur shtetin më të ri në Evropë.

Piter Feith, që vazhdon të mbajë dy kapela, atë të shefit të ICO-së që e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të përfaqësuesit special të BE-së, që mban qëndrim neutral ndaj statusit të vendit, numëroi para studentëve një sërë sfidash që e presin Kosovën në këtë vit.

Ai kërkoi nga krerët e institucioneve të reja që të luajnë në mënyrën më të mirë rolin që iu është besuar. Nga presidenti Pacolli kërkoi që të jetë figurë unifikuese, nga kryeministri Thaçi dhe Qeveria e tij, që të marrë miratimin e Kuvendit për projektet e mëdha, ndërsa nga partitë parlamentare, që t’i shmangen bojkotit.

I pyetur nëse misioni i EULEX-it është i dështuar në Kosovë, për shkak të ngecjeve, kryesisht në drejtësi, Feith hodhi fajin diku tjetër.

“Kosova është një shoqëri sekrete. Është shumë vështirë të gjenden dëshmitarët, është vështirë për prokurorët që të sjellin një rast në gjykatë, të përpilojnë aktakuzë. Ata që po hetohen, kanë shanse ë mira që t’i ikin verdiktit, duke mbetur të pandëshkueshëm. Kjo duhet të kihet parasysh edhe kur flitet për raportin e Martit”.

“Jam zhgënjyer kur kam parë se edhe në nivelin e lartë të qeverisë kishte një lloj kërcënimi ose frikësimi, duke thënë se ‘nëse dikush do të dëshmojë do ta gjejmë, nëse dikush tregon të vërtetën, ne do ta dimë se kush është’. Kjo nuk ndihmon. Dëshmitari duhet të ketë shumë kurajë për ta treguar të vërtetën”,
shpjegoi Feith.
XS
SM
MD
LG