Ndërlidhjet

Sporti në Kosovë, investime të vogla


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Me gjithë nevojat dhe kërkesat e shumta që ka sporti kosovar, investimet në këtë segment kanë qenë simbolike, vlerësojnë zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të organizatave sportive.

Ibër Alaj, drejtues i Departamentit të Sportit në kuadër të Ministrisë së Kulturës, thotë se gjatë vitit të kaluar, investimet e përgjithshme në sportin kosovar kanë qenë mbi 4 milionë euro, prej të cilave pjesa më e madhe është investuar në infrastrukturë.

“Në subvencione kanë qenë rreth 1,100,000 euro, ndërkaq për investime kapitale kanë qenë rreth 3,200,000 euro. Jemi duke investuar në 10 komuna të Kosovës, në disa palestra... Jemi duke intervenuar në stadiumin e Pejës, në zhveshtoren e këtij stadiumi. Ndërsa, në stadiumin e Prishtinës jemi duke bërë drenazhimin dhe duke përgatitur terrenin për shtigjet e atletikës”, shpjegon Alaj.

Por, Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, i vlerëson si tejet të pakta investimet në sportin kosovar, përkundër premtimeve që, sipas tij, i kishte bërë Qeveria e Kosovës në të kaluarën.

“Unë konsideroj se nga buxheti i Kosovës, pjesa që ndahet për sportin është rreth 1 për qind, që vërtet është shumë pak në raport me nevojat e sportit, por edhe me rëndësinë që ka sporti”.

“Edhe më tej nuk po bëhet një shpërndarje adekuate në kuadër të Ministrisë për Sportin, sa i përket përqindjes për infrastrukturë, për federatat, për komitetin olimpik dhe për ndërkombëtarizimin e sportit”,
thotë Hasani.

Ministria e Kulturës
Ibër Alaj e pranon se institucionet janë të vetëdijshme për nevojën që kanë organizatat sportive dhe sportistët.

“Sa u përket angazhimeve dhe bashkëpunimit në mes të federatave dhe institucioneve sportive, mendojmë se ka rritje të tyre. Ka nevojë ende për mbështetje institucionale, sepse për shkak të mosaprovimit të ligjit për sponsorim, ka mungesë të donacioneve”, thotë Alaj.

Sipas tij, ka pasur angazhime edhe në rrafshin e ndërkombëtarizimit të sportit dhe disa federata tashmë kanë aplikuar për t’u pranuar në mekanizmat gjegjës ndërkombëtarë.

Siç thekson Alaj, së fundmi, Federata e Xhudos është pranuar në federatën gjegjëse botërore, me të drejta të plota.

Por, Hasani vlerëson se investimet për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar kanë qenë tejet të pakta, duke pasur parasysh faktin se kjo çështje është shpallur si prioritet nga institucionet qeveritare të sportit.

“Deri më tash, për ndërkombëtarizim, nëse flasim për vitin e kaluar, kanë qenë rreth 600 mijë euro. Këtu ka hyrë edhe shkuarja e një ekipi të juniorëve në futboll në gara me karakter ndërkombëtar. Nuk kanë qenë saktësisht të precizuara vetëm për lobim efektiv për ndërkombëtarizimin e sportit”.

“Unë mund t’ju them se vetëm 10 mijë deri në 12 mijë euro i ka pasur Komiteti Olimpik për ndërkombëtarizimin e sportit, që është një shumë aq simbolike dhe e vogël, sa nuk e vlen as të përmendet”,
shprehet Hasani.

Për shkak të mosmiratimit të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, ende nuk dihet se sa do të jenë këtë vit mundësitë financiare për sportin.

Alaj thekson se pritjet për një buxhet më të madh sesa në të kaluarën janë të arsyeshme.

“Presim që të ketë rritje të buxhetit, për shkak se nevojat dhe kërkesat janë të domosdoshme dhe emergjente, për shkak se vetëm Ministria e Kulturës, përkatësisht Departamenti i Sportit është duke funksionuar dhe duke ndihmuar federatat dhe klubet në Kosovë. Kuvendet komunale dhe donatorët nuk janë në nivelin e duhur për të ndihmuar kërkesat e federatave dhe klubeve”, konkludon Alaj.
XS
SM
MD
LG