Ndërlidhjet

Reagim ndaj gjenocidit


Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje protestuan të enjten kundër vizitës së Borko Stefanoviqit në Prishtinë.
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje protestuan të enjten kundër vizitës së Borko Stefanoviqit në Prishtinë.
Reagimi i djeshëm i qytetarëve të Kosovës ishte reagim ndaj gjenocidit që Serbia ka bërë këtu gjatë luftës, tha shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, duke komentuar vizitën e së enjtes në Prishtinë të homologut të saj serb, Borko Stefanoviq.

Vizita e së enjtes në Kosovë e shefit të delegacionit serb në bisedime, Borko Stefanoviq, në Prishtinë u vlerësua si hapi i parë për njohjen e realitetit të Kosovës nga shteti serb.

Ndërsa, protesta e organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” si kundërshtim ndaj kësaj vizite thuhet se pasqyron atë që Serbia ka bërë në Kosovë gjatë luftës.

Shefja e delegacionit kosovar në bisedime me palën serbe, Edita Tahiri, tha se reagimi mund të jetë një mesazh për Serbinë dhe botën se historia nuk do të harrohet, pavarësisht vullnetit të Kosovës për të shikuar kah e ardhmja.

Edita Tahiri

“Reagimi që ndodhi ishte po ashtu një realitet, sepse reagimi i djeshëm i qytetarëve të Kosovës ishte reagim ndaj gjenocidit që Serbia ka bërë këtu gjatë luftës. Unë mendoj se ky ka qenë një mesazh edhe për vetë zotin Stefanoviq, për Serbinë, por edhe për botën që shteti e populli mund të marrë vendim të shikojë përpara, porse historia nuk harrohet”,
tha Tahiri.

Zëvendëskryeministrja dhe kryesuesja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë shtoi se takimi me homologun serb është zhvilluar në cilësinë e përfaqësuesve të dy shteteve të barabarta, gjë që, sipas saj, është vënë re edhe në simbolet shtetërore të të dyja vendeve, të cilat janë vendosur në zyrën ku u zhvillua takimi.

Komentet për këtë çështje shefja e delegacionit kosovar në bisedime me Serbinë i bëri pas takimit përgatitor rreth bisedimeve teknike për çështjen e personave të pagjetur.

Ajo njoftoi se Grupi Punues i Kosovës për persona të pagjetur është ngritur në nivel të grupit teknik, i cili tani e tutje do të marrë pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Koordinatori i grupit teknik për persona të pagjetur, Pajazit Nushi, vlerësoi se parimet dhe metodat e reja të punës së grupit të deritashëm do t’i zmadhojnë gjasat për sukses në kërkimin e fatit për rreth 1800 persona të pagjetur në Kosovë dhe identifikimin e mbi 420 mbetjeve mortore, të cilat aktualisht gjenden në morgun e Prishtinës.

“Aq më tepër është i ndërlikuar procesi i identifikimit i mbetjeve mortore, proces të cilin nuk mund ta kryejnë vetëm ekspertët tanë -madje jo vetëm ekspertët ndërkombëtarë. Edhe ekspertët vendorë e ndërkombëtarë së bashku me vështirësi po arrijnë t’i kryejnë këto procese”, theksoi Nushi.

Përveç çështjes së personave të pagjetur në raundin e katërt të bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, i cili thuhet se do të zhvillohet prej 17 deri më 18 maj në Bruksel, pritet të diskutohen një varg çështjesh të tjera.

Borko Stefanoviq gjatë vizitës në Prishtinë

Tahiri tha se në kuadër të këtyre temave të planifikohet të jenë çështja e trashëgimisë kulturore e fetare - përkatësisht do të kërkohet kthimi i eksponateve etnologjike e arkeologjike, dokumenteve për mbrojtjen e monumenteve, disa dokumenteve arkivore dhe dëmshpërblimi për dëmet e luftës.

E pyetur se kur do të udhëtonte në Beograd për të mbajtur takime me zyrtarët serbë në kuadër të bisedimeve, Tahiri deklaroi:

“Në Beograd do të shkoj kur Serbia i krijon kushtet dhe kushti kryesor është njohja e pavarësisë së Kosovës”
.

Çështja e pavarësisë së Kosovës vazhdon të jetë pjesa kryesore e përplasjeve të qëndrimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Edhe pas nisjes së bisedimeve me Prishtinën zyrtare, në Beograd vazhdojnë ta kundërshtojnë kategorikisht njohjen shtet të Kosovës.
XS
SM
MD
LG