Ndërlidhjet

Tiranë: Atmosferë tensionesh


Para KQZ-së...
Para KQZ-së...

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në konferencën e mbajtur për shtyp në orët e mbrëmjes, doli në mbrojtje të punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili, siç tha Berisha, po vepron si Komision Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve bazuar në Kodin elektoral, duke bërë punën e tij, pra duke numëruar votat e panumëruara.

Berisha iu referua pikërisht votave, të cilat janë gjetur në kuti të gabuara dhe që më pas do të reflektohen në tabelën përfundimtare, e që do të prodhojnë rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës.

Nga ana tjetër, kryeministri Berisha e quajti “agresiv dhe primitiv” qëndrimin që po mban lidershipi i Partisë Socialiste, duke iu referuar rrethimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai garantoi se mazhoranca që ai drejton, do ta respektojë ligjin, do t’i respektojë protestat paqësore, por tha se çdo formë e dhunës do të ndeshet me ligjin.

Kryeministri tha gjithashtu se paralajmëron kryetarin e PS-së, Edi Rama, se nëse pushton, siç tha Berisha, KQZ-në, do të marrë përgjigje ligjore.

Ndërkohë, ai u bëri ftesë qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe të mos pranojnë të keqpërdoren.

Gjatë ditës pati edhe një deklaratë nga ana e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili theksoi se populli opozitar mbetet i vendosur që t’u shkojë deri në fund protestave në gjithë vendin, në mbrojtje të votës së lirë.

Rama e quajti joligjore gjithë veprimtarinë e KQZ-së, madje paralajmëroi kallëzim penal për katër anëtarë të këtij komisioni, në mesin e tyre edhe për kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani.


* * * * *

Situata jashtë ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paraqitet pak më e qetë, ndryshe nga ç’ishte disa orë më parë kur mbështetës të Partisë Socialiste tentuan të thyejnë kordonin e policisë, në përpjekje për të hyrë brenda institucionit kryesor që administron procesin zgjedhor.

Si pasojë e këtij konfrontimi fizik, policia e shtetit njoftoi se të paktën dy pjesëtarë të saj janë lënduar lehtë dhe janë dërguar në spital për mjekim. Ndërsa, nga radhët protestuesve nuk raportohet për të plagosur.

Aktualisht, përfaqësues të PS-së, deputetë dhe përkrahës, janë tërhequr në këto momente nga ambienti jashtë ndërtesës së KQZ-së.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i zgjedhjeve vazhdoi mbledhjen e nisur që prej orës 10 të paradites, me gjithë zhvillimet jashtë ndërtesës së KQZ-së.

Ndërkaq, vazhdon procesi i numërimit të të tjera votave të cilësuara të kontestuara. Nga numërimi i deritashëm, kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, rezulton të jetë në avantazh krahasuar me kandidatin e Partisë Socialiste Edi Rama.

Në mbledhjen e Komisionit nuk munguan debatet dhe akuzat politike mes përfaqësuesve të njërës apo tjetrës palë në KQZ.

Ndërkohë, protesta të ngjashme me atë para KQZ-së u mbajtën edhe në disa qytete të tjera të vendit, si në Gjirokastër, Lezhë etj, ku mbështetës të PS-së bllokuan edhe rrugën kombëtare.

Ky tensionim i situatës në vend ka bërë që të anulohet vizita e presidentit të KE-së Hose Manuel Barroso, e planifikuar për ditën e premte.

Edhe gjatë ditës së mërkurë ka pasur reagime nga KE-ja, nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Ketrin Eshton, e cila u bëri thirrje palëve të gjejnë zgjidhje.

Ashton, gjithashtu, nënvizoi se udhëheqësit politikë në Tiranë mbajnë përgjegjësi të veçantë për të mos vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
XS
SM
MD
LG