Ndërlidhjet

KQZ përfundon numërimin


Lulzim Basha dhe Edi Rama
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi të dielën vonë numërimin e kutive me fletë të kontestuara.

Gjithsej u numëruan 125 kuti, nga të cilat kandidati i Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha, siguroi 173 vota, ndërsa kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Edi Rama, 83 vota.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se, ditën e hënë, ky institucion do të miratojë dhe tabelën përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë e Tiranës.


Votat numërohen, socialistët protestojnë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve alternoi punën mes shqyrtimit të ankesave të forcave politike për zgjedhjet, si dhe numërimit të fletëve të kontestuara, pikërisht të gjetura në kutinë e gabuar.

Numërimi u shoqërua dhe me kundërshtimet e përfaqësuesve të opozitës në komision, të cilët ritheksuan se këtë proces e konsiderojnë jo ligjor.

Kutitë e numëruara deri tani në garën për Tiranën, nxjerrin në avantazh kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha. Kështu, nga 104 kuti të numëruara, kandidati Lulzim Basha ka marrë 164 vota kundrejt 74 votave që ka marrë kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Edi Rama.

Të dhënat flasin edhe për të paktën 30 kuti që pritet t'i nënshtrohen procesit të numërimit, deri në shpalljen e rezultatit final.

Ndërkohë, jashtë ndërtesës së KQZ-së, mbështetës të Partisë Socialiste dhe deputetë të saj vijuan me protestën e radhës, kundër asaj, siç e quajnë ata, vjedhje në tavolinë e fitores së Tiranës.

Deputetët e majtë akuzuan për këtë kreun e KQZ-së, Arben Ristani, dhe mazhorancën Qeverisë. Ndryshe nga ditët e para të protestës opozitare, që prej nisjes së procesit të numërimit të votave të kontestuara, protestuesit nuk u konfrontuan me autoritetet e rendit dhe forcat speciale, të cilat prej ditësh po ruajnë ndërtesën e KQZ-së.

Nisur nga zhvillimet në Tiranë, shkrimtari Ismail Kadare, i cili jeton në Francë, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar kandidatit të Lulzim Basha, i bëri thirrje atij të dorëhiqet nga gara për Tiranën. Sipas Kadaresë, kjo do të ishte zgjidhja më e mirë që vendi, siç u shpreh ai, të zgjidhë kolapsin e papritur, në të cilin gjendet, jo vetëm shteti, por dhe kombi shqiptar.

Kjo situatë, sipas Kadaresë, më së paku do të rrezikonte izolimin e vendit.
Ndërsa, në përgjigjen e tij, gjithashtu të hapur, kandidati i Aleancës për qytetarin thotë se tërheqja e tij nga gara, do të dëmtonte demokracinë dhe do të fyente qytetarët që e mbështetën me votë projektin e tij.

Basha nënvizoi se për kryetarin e bashkisë, janë qytetarët ata që vendosin. Në letrën e tij të hapur, Basha shpreh gatishmërinë të takohet dhe me kundërshtarin e tij në garën për Tiranën, Edi Rama - takim që, siç thotë Basha, do t’i shërbente konsolidimit nga të dy garuesit të një pakti moral, që garanton qetësi, e pranon verdiktin qytetar, mbi qeverisësin e ardhshëm të kryeqytetit.
XS
SM
MD
LG