Ndërlidhjet

Vejvoda: Skenari i dy Gjermanive për veriun


Ivan Vejvoda
Ivan Vejvoda

Skenari i dy Gjermanive për veriun është një rregullim gradual i raporteve në frymën e një partneriteti evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë Ivan Vejvoda, nga Fondacioni “German Marshall”.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Vejvoda, shumëkush thotë se Serbia ka zgjedhur me kujdes momentin për arrestimin e Ratko Mlladiqit, duke pretenduar se ajo gjithmonë e ka ditur vendndodhjen e tij…
IVAN VEJVODA
Unë e kuptoj nevojën e njerëzve për të kërkuar, ku di unë, teori më të thella mbi pyetjen pse pikërisht tash. Unë gjithmonë e kujtoj një deklaratë të ish-ambasadorit britanik në Beograd, para dy vjetësh, kur pati thënë se ‘e dimë që jeni duke bërë kërkime, por në ato kërkime duhet pasur edhe fat’.

Mendoj se në këtë rast, këto dy procese janë harmonizuar - pra, serioziteti i punës ekipore të shërbimeve sekrete, bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare të sigurimit dhe në fund është ai momenti i fatit, duke prodhuar kështu rezultatin në fjalë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të jetë përfitimi i parë i Serbisë ndonjë vendim i mundshëm i OKB-së që hetimet mbi pretendimet për trafikim organesh në Kosovë t’i besohen ndonjë mekanizmi të posaçëm të OKB-së?
IVAN VEJVODA
Është shumë e vështirë të vlerësohet, qoftë nga ana politike, qoftë nga ajo ligjore, se cili do të jetë rezultati konkret i kësaj kërkese, duke qenë se edhe vendet tjera kanë bërë një kërkesë të këtillë - në mos gaboj Zvicra.

Ajo që është shumë e rëndësishme, jo vetëm për njerëzit në rajon, por do të thosha edhe për ata në Evropë, është që këto hetime, me të vërtetë të realizohen në mënyrën që padyshim të prodhojnë ndonjë rezultat.

Prandaj, mbase është më relevante që me këtë të merret ndonjë instancë më e lartë, e cila nuk është e lidhur vetëm me Kosovën, sikur që është rasti me EULEX-in.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta shfrytëzojë Serbia këtë pozicion të sajin karshi Bosnjës, duke e shtyrë drejt Evropës apo drejt ndarjes?
IVAN VEJVODA
Bosnjë e Hercegovina pa dyshim që do të ecë dhe do të tërhiqet në proceset euro-integruese nga lëvizjet që do të bëjë Serbia dhe Kroacia. Nëse Kroacia i përfundon, siç pritet, negociatat e saj për anëtarësim gjatë këtij viti dhe nëse Serbia fiton statusin e kandidatit, unë mendoj se e gjithë kjo do të ketë ndikim edhe në Bosnjë e Hercegovinën.

Këtë e kemi parë edhe me rastin e liberalizimit të vizave, atëherë kur Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi fituan regjimin pa viza, përnjëherë edhe Bosnjës i janë dhënë udhëzimet për të realizuar një gjë të këtillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, thotë se formimi i një entiteti në veri të Kosovës, i ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë, do të ishte zgjidhje. Lobuesit që paguhen nga Qeveria serbe gjithashtu angazhohen për një zgjidhje të tillë...

IVAN VEJVODA

Ky është një skenar, në bazë të të cilit Serbia njëkohësisht do ta fitonte veriun dhe do ta njihte mbase pavarësinë e Kosovës.

Skenari tjetër, ai që ka më shumë gjasa aktualisht, është skenari i dy Gjermanive, përkatësisht një rregullim gradual i raporteve në frymën e një partneriteti evropian apo zgjidhjeve të tjera evropiane.

Nëse e marrim Irlandën Veriore ose Tirolin e Jugut ose cilindo rast tjetër, është e qartë se ky është një proces afatgjatë, në të cilin mirëbesimi duhet të ndërtohet midis palëve, në mënyrë që ato në fund të mund të arrijnë deri te një zgjidhje racionale, demokratike dhe evropiane. (a.v.)
XS
SM
MD
LG