Ndërlidhjet

FT: Plane për paqe në Libi


Një portret i Muamer Gadafit qëndron jashtë një ndërtese të shkatërruar në Libi...
Një portret i Muamer Gadafit qëndron jashtë një ndërtese të shkatërruar në Libi...
"Financial Times"

Fushata në Libi ka hyrë në një fazë të re, ndërsa presioni ndaj Muamer Gadafit është në rritje. Ritmi i bombardimeve ajrore të Perëndimit është përshkallëzuar, ndërkohë që opozita në terren po avancohet.

Kolonel Gadafi mbetet sfidues, duke u zotuar se vetëm vdekja do ta ndajë nga pushteti. Por, jo të gjithë besnikët e tij kanë gatishmëri të ngjashme – shumë zyrtarë të lartë janë larguar nga forcat e regjimit.

Do të ishte e ngutshme të shkruhej për fundin e këtij regjimi, por kokat në Libi dhe Perëndim duhet të përqendrohen në atë se si të menaxhojnë tranzicionin pas rrëzimit të kolonelit.

Pjesa më e madhe do të varet nga vetë libianët. Ashtu siç do ta çlirojnë veten nga kthetrat e Gadafit, ashtu duhet ta ndërtojnë edhe paqen më pas.

Mosdashja e Perëndimit për të shkelur me çizme në terren shtrihet në fazën e pas konfliktit. Derisa komuniteti ndërkombëtar, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, do të mbikëqyrë marrëveshjet kalimtare politike, nuk ka plane për të ofruar sigurinë përmes një force shumëkombëshe të stabilizimit.

Kjo nuk duhet të jetë një katastrofë për aq kohë sa vetëpërmbajtja ekziston në të gjitha anët. Por, disa gjëra të këqija duhet të shmangen. Ndërsa zyrtarët e lartë të kolonel Gadafit do të përballen me drejtësinë, nuk duhet të ketë spastrim me shumicë të të punësuarve të regjimit.

Kjo thjesht do të provokonte atë lloj kaosi që ngufati Irakun pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në vitin 2003.

Ka shenja se Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, me seli në Bengazi, është i gatshëm të luajë një rol konstruktiv. Ai ka mohuar çdo lloj dëshire për spastrim në masë dhe ka premtuar se nuk do të ketë hakmarrje.

Një zgjidhje e Libisë do të ishte e preferuar në shumë mënyra. Ajo do të reduktonte mundësinë e marrëveshjeve të huaja politike dhe do të kishte më shumë gjasa të fitonte legjitimitetin dhe respektin.

Por, që të funksionojë një gjë e tillë, duhet të arrihen disa kushte të caktuara. Së pari duhet të ketë siguri gjatë tranzicionit. Kjo nuk duket të jetë e pamundur. Gjatë konfliktit, opozita ka mbajtur paqen në qytetet që ajo ka marrë.

Së dyti, duhet të ofrohen shërbimet bazë dhe, së treti, duhet të lëshohen fonde për t’i dhënë shansin tranzicionit dhe për të parandaluar ndonjë kaos.

Perëndimi mund të mos jetë i gatshëm të vendoset në terren, por kjo nuk do të thotë se duhet t’i lajë duart nga disa gjëra. Ai duhet të jetë i gatshëm për të ofruar ndihma praktike, të tilla si logjistikë për furnizimin e shërbimeve bazë, këshilla për polici dhe kapital të organizuar, për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve përfaqësuese.

Ideja e kolonel Gadafit për Libinë si shoqëri primitive fisnore, ka qenë gjithmonë një mit. Ajo është një nga shoqëritë më të pasura dhe më të arsimuara të Afrikës.

Këto fakte japin arsye për të shpresuar se Libia e pas Gadafit nuk do të rrëshqasë në kaosin e pas Sadamit në Irak. Por, Perëndimi nuk duhet të besojë se ajo e vetme do ta arrijë suksesin e tranzicionit. Ai duhet të mbetet i angazhuar dhe të bëjë plane për të gjitha të paparashikuarat.(v.t.)
XS
SM
MD
LG