Ndërlidhjet

Përçahen pensionistët!?


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Pensionistët kosovarë kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse rritje të pensioneve, në të kundërtën ata thonë se do të organizojnë protesta. Por, asociacionet e pensionistëve janë të ndara rreth kohës së shprehjes së pakënaqësisë. Përderisa përfaqësues të Organizatës së Invalidëve të Punës thonë se do të presin edhe një muaj për të reaguar, Shoqata e Pensionistëve thotë do ta presë deri në muajin shtator, ekzekutivin që të realizojë kërkesën për rritje të pensioneve.


Përfaqësuesit e pensionistëve kosovarë paralajmërojnë periudha të ndryshme kohore për mundësinë e organizimit të protestave, nëse nuk realizohet kërkesa e tyre për rritje të pensioneve.

Hamdi Tasholli, nga Organizata e Invalidëve të Punës së Kosovës, në të cilën përfshihen edhe 12 asociacione tjera që mbrojnë të drejtat e pensionistëve, thotë se do ta presin fundin e muajit korrik për të parë nëse do të ketë rritje të pensioneve.

Në të kundërtën, shprehet Tasholli, kjo kategori e shoqërisë, shqetësimet e tyre do t’i paraqesë në forma të ndryshme sindikale.


Tasholli thotë se pensionistët tashmë kanë humbur durimin, siç thotë ai, nga diskriminimi që ekzekutivi po i bën kësaj kategorie të shoqërisë.

“Ne, deri në fund të muajit korrik do të presim, sepse kemi marrë premtime nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Qeveria në tërësi, se do të miratohet Ligji mbi pensionet. Dhe, nëse nuk ndodh kjo, ne do të organizohemi dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet e mundshme demokratike, jo radikale në kuptimin e ekstremit, por kësaj radhe do të jemi shumë stoikë në qëndrimet tona”, thotë Tasholli.

Por, përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, do ta presin muajin shtator për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre, nëse ekzekutivi nuk i rritë pensionet.

Shaban Kajtazi, nga kjo shoqatë, thotë se bisedat që janë duke u zhvilluar me përfaqësues të Qeverisë, kanë bërë që të presin këtë afat kohor.

Ministria e Financave ka paralajmëruar se do të shtojë buxhetin prej 7 milionësh edhe për 2-3 milionë. Dhe, të gjitha këto përpjekje dhe ndryshime pritet të inkorporohen në Ligjin për Skemat Sociale, të financuara nga shteti i Republikës së Kosovës”.

“Nëse këto biseda përfundojnë me realizimin e kërkesave, nuk do të ketë nevojë për protesta. Por, nëse këto vazhdojnë deri në muajin shtator dhe nuk përfundojnë, atëherë tjetër rrugë nuk u mbetet pensionistëve, që mjetet e tyre t’i kërkojnë edhe me forma tjera dhe me protesta”,
shprehet Kajtazi.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e pensionistëve, fundin e këtij muaji e kishin paralajmëruar si mundësi për organizimin e masave sindikale, pasi ka kohë që ata kanë kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që t’i rrisin pensionet për të gjitha kategoritë, përfshirë edhe pensionet e pleqërisë.


Sipas tyre, vlera e pensioneve mesatare duhet të jetë 60 për qind nga vlera e pagës mesatare në Kosovë, apo sipas llogaritjes së tyre, rreth 230 euro në muaj.

Këto kërkesa janë bërë më të zëshme që nga janari i këtij viti, kur Qeveria e Kosovës rriti pagat për punëtorët e sektorit publik nga 30 deri në 50 për qind.

Për këtë, Tasholli konsideron se Qeveria ka mundësi që të gjejë mjete për rritjen e pensioneve. Madje, ai thotë se i kanë dhënë edhe modelin Qeverisë, se cilat forma mundësojnë financimin e Ligjit për pensionistët.

“Duke filluar nga gjenerata që mban gjeneratën ose solidariteti, 0.1 për qind nga ekstra profite, prej alkoolit etj, dhe do të tejkalohet kjo shumë. Por, Qeveria nuk e ka vullnetin më minimal për t’i zgjidhur këto probleme. Nuk e kuptoj përse”, thekson Tasholli.

Por, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, rritja e pensioneve do të bëhet pas miratimit të Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.

Bexhet Gaxhiqi, këshilltar në këtë ministri, thotë se në bazë të këtij ligji, parashihet që rritja e pensioneve për kontribut-paguesit, do të jetë deri 101 euro, ndërsa pensionet bazike do të jenë 50 euro.

Në Kosovë, rreth 180 mijë pensionistë, të cilët kanë mbi 65 vjet, marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa ata që kanë paguar kontributet, marrin nga 85 euro.
XS
SM
MD
LG