Ndërlidhjet

Veriu mbetet pa gjykata


Veriu i Mitrovicës
Veriu i Mitrovicës
Afatet për shtrirjen e sistemit gjyqësor në veri të Kosovës kanë kaluar dhe një gjë e tillë nuk është arritur ende. Kështu vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës , si dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Drejtuesi i kësaj të fundit, Enver Peci, thotë se në veri ende funksionojnë gjyqet paralele serbe.

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk i kanë dhënë ndonjë përgjigje Komisionit Parlamentar për Legjislacion lidhur me shtrirjen dhe funksionimin e gjykatave në veri të Kosovës, theksojnë zyrtarët e këtij komisioni.

Një përgjigje të tillë, ky komision e ka kërkuar kohë më parë, ndërkaq, Haki Demolli anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, thekson se shtrirja e gjykatave në veri të vendit është dashur të ndodhë kohë më parë, në mënyrë që të krijohet një sistem unik gjyqësor në Kosovë.

Janë tejkaluar të gjitha kushtet dhe afatet të cilat i kemi pasur dhe ia kemi përcaktuar vetvetes për shtrirjen e funksionimit të gjykatave tona në veriun e Kosovës. Dihet se për funksionimin e gjykatave tona në veri të Kosovës, apo për veprimin e tyre atje, kompetent kryesor në radhë është parë është Qeveria e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Ministrinë e Drejtësisë, pastaj Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe faktori apo institucionet ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë” thekson Demolli.

Tejkalimin e afateve për shtrirjen e sistemit gjyqësor edhe në veri të vendit e pohon edhe Enver Peci, kryetar i këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Por, problemi i veriut të vendit, sipas tij, është edhe problem politik, ngase i ka tejkaluar kompetencat e Këshillit Gjyqësor sa i përket funksionimit në atë pjesë.

Të drejtat e njeriut janë shkelë në masë të madhe dhe procedimi i çështjeve dhe kërkesave të palëve të atij regjioni janë me të vërtetë shumë shqetësuese. Qarku i Mitrovicës i përfshinë disa komuna edhe në brendësi të Kosovës, dhe në këtë drejtim janë bërë përpjekjet fillestare sa i përket koordinimit të punëve me EULEX-in. Mirëpo, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka qenë i pajtimit që në sistemin gjyqësor të Kosovës të inkuadrohen gjyqtarë, të cilët kanë kaluar në sistemin paralel të Serbisë dhe aty ka ngecë çështja”, shprehet Peci.

Krijimi i një sistemi gjyqësor funksional dhe unik në gjithë territorin e Kosovës, është obligim kushtetues për Qeverinë e Kosovës. Bedri Bahtiri, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, thotë se kjo ministri është duke punuar në vazhdimësi dhe në mënyrë intensive me partnerët ndërkombëtarë dhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që të shtrijë autoritetin edhe në veri të vendit.

Ministri i drejtësisë ka pasur dhe ka takime intensive me faktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim të shtrirjes së autoritetit edhe në atë pjesë të republikës së Kosovës. Cilët hapa do të jenë në vazhdim, mbetet të shihet. Mirëpo, është zotim edhe i zëvendëskryeministrit që së shpejti, në bashkëpunim edhe me këta akterët tjerë, sepse është një sferë shumë e gjerë, do të thotë, që ka edhe akterë tjerë që do ta luajnë rolin e tyre, shpresojmë që shpejtë do ta kemi një sistem unik gjyqësor në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë Bahtiri.

Por, shtrirja e sistemit unik gjyqësor në veri të Kosovës, në vazhdimësi është penguar nga strukturat paralele në këtë pjesë të vendit.

Peci thekson se një gjë e tillë po ndodhë edhe tash.

Jam i sigurt që ka gjykata paralele në veri të Mitrovicës, dhe duhet ta pranojmë këtë fakt. Ne kemi pasur edhe vendime të gjykatave paralele, të cilat i kemi adresuar në vendet ku duhet të adresohen. Përafërsisht e dimë edhe ku qëndron ndërtesa e atyre gjykatave paralele dhe me të vërtetë duhet të veprohet diçka në këtë drejtim”, thekson Peci.

Ndryshe, Peci thotë se ekzistencën e institucioneve gjyqësore paralele në veri të vendit e konfirmon edhe rasti i fundit kur gjyqtarja, e cila është propozuar të punojë në sistemin gjyqësor të Kosovës, ka kaluar në sistemin paralel.
XS
SM
MD
LG