Ndërlidhjet

Shënohet 10-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Marrëveshja e Ohrit sendërtoi paqen dhe njëherësh vendosi bazamentin për funksionimin e Maqedonisë si shtet multietnik, me demokraci të avancuar, tha presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, me rastin e shënimit të 10-vjetorit të kësaj marrëveshjeje.

“Nga Marrëveshja e Ohrit fituam paqen si dhe zhvillimin e demokracisë në vend. Historia na mësoi se është e domosdoshme fillimisht të arrihet paqja, që të mundësohet zhvillimi i demokracisë. Pikërisht këtë e arriti Marrëveshja e Ohrit".

Gjorgje Ivanov
"Demokracia dhe multi-etniciteti kanë një gjë të përbashkët: është më mirë që të burojnë nga brenda, nga vetë shoqëria, që të jenë me të vërtetë më efikase", deklaroi Ivanov në Ohër.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi, përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit, tha se ky dokument kornizë i siguroi të ardhmen Maqedonisë, i tha jo diskriminimit, përdorimit të dhunës, ndarjeve etnike dhe territoriale, ndërsa solli perspektivën, tolerancën, barazinë dhe bashkëjetesën multietnike.

Xhaferi tha se nga viti 2001, Marrëveshja e Ohrit zbatohet me dinamikë të caktuar në të gjithë sektorët shoqërorë, me qëllim të ndërtimit të shoqërisë së re dhe modelit të shtetit të ri multietnik.

Filip Riker në cilësinë e ndihmëssekretarit amerikan për Evropë dhe Azi, tha se Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur, duke parandaluar kështu luftën civile në Maqedoni.

Sipas tij, kjo marrëveshje ishte shans i mirë për tejkalimin e dallimeve mes më tepër popujve.

“Nuk duhet haruar se Maqedonia, para 10 vjetësh, ishte në kufi të luftës civile, por dokumenti kornizë e parandaloi atë”, u shpreh Riker, duke shtuar se faktori ndërkombëtar mbetet në Maqedoni për ta ndihmuar atë t’i tejkalojë sfidat sa i përket procesit të integrimit.

Diplomati amerikan, Xhejms Perdju, njëri nga negociatorët për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, deklaroi se kjo marrëveshje mundësoi paqen dhe një të ardhme më të mirë për Maqedoninë.

Sipas tij, ky dokument paraqet model për tejkalimin e konflikteve etnike edhe në rajone të tjera të krizës.

Nga ana tjetër, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, drejtues i ish-UÇK-së, tha:

“NATO e solli paqen në Maqedoni dhe është po integrimi në NATO ai që do të sigurojë një paqe afatgjate”.

Konferenca dyditore kushtuar Marrëveshjes së Ohrit me rastin e 10-vjetorit të nëshkrimit të saj, është bojkotuar nga dy nëshkruesit e saj, ndonëse ishin të ftuar: ish-lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferi, dhe ish-kryeministri Lupço Georgievski.
XS
SM
MD
LG