Ndërlidhjet

Polemika rreth Raportit të Progresit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Publikimi i Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian nuk ka kaluar pa debate kundërthënëse ndërmjet pozitës dhe opozitës edhe në Kuvendin e Kosovës.

Përderisa kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ky raport është pozitiv, duke veçuar rekomandimin për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave, opozita e ka cilësuar përmbajtjen e raportit si shumë shqetësues për shkallën e zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë kosovare.

Me gjithë shqetësimet e opozitës, kryeministri Thaçi tha se të gjithë duhet t’i gëzohen faktit se Kosovës po i hapet perspektiva e dialogut për vizat, si një proces i shumëpritur.

Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi
“Strategjia e zgjerimit ka rikonfirmuar agjendën evropiane të Kosovës në vazhdimin e mbështetjes së dy proceseve kyçe - liberalizimi i vizave dhe marrëveshja tregtare”.

“Dëshiroj ta përmbyll me nënvizimin e tri prioriteteve kryesore të qeverisë, të cilat do të udhëheqin angazhimin e qeverisë deri në publikimin e Raportit të ardhshëm të Progresit, e që në fakt janë një: sundimi i ligjit, sundimi i ligjit, sundimi i ligjit, për Kosovën evropiane”,
tha Thaçi.

Sa u përket gjetjeve të evidentuara si ngecje dhe sfida në Raportin e Progresit, kryeministri Thaçi tha se të gjitha institucionet do të angazhohen që të ketë përmirësime dhe përparime në të ardhmen.

Përmbajtja e Raportit të Progresit është cilësuar si një temë që kërkon debat në Kuvendin e Kosovës nga ana e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti.

Ai tha se Kuvendi nuk po arrin ta kontrollojë qeverinë, andaj kjo e metë, sipas tij, edhe po reflekton në përmbajtjen negative të raporteve të progresit për Kosovën.

“Kuvendi nuk e kryen punën në kontrollin e ekzekutivit dhe, e dyta, qeveria nuk merr pjesë në Kuvend. Andaj, duke i pasur parasysh pikërisht këto nënvizime të raportit për Kuvendin, është e domosdoshme që tash të organizohet një mbledhje e Kuvendit, në të cilën do të marrë pjesë e tërë qeveria dhe këtu të ballafaqohen me ndodhitë dhe me pritjet”, deklaroi Hamiti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se qeveria e ka vlerësuar si real raportin e fundit të Komisionit Evropian. Duke e pranuar si të tillë, ai tha se qeveria ka pranuar dështimin e saj.

“A është e vërtetë që qeveria nuk ka vullnet politik ta luftojë korrupsionin? Edhe kjo shkruan në raport, në këtë raportin real, të cilin vetë qeveria e ka quajtur real. A është e vërtetë që gjendja ekonomike e Kosovës nuk është përmirësuar hiç prej vitit të kaluar, bile-bile është degraduar? Kështu shkruan në raport. A është reale edhe kjo pikë?... A është e vërtetë që GDP-ja në Kosovë është rritur për 0.1 për qind brenda një viti kalendarik, e neve kryeministri na thotë se kemi rritje 6 - 7 për qind, kiamet shumë...”, shtroi pyetjet dhe dilemat Gjini.

Sidoqoftë, Kuvendi dhe qeveria janë pajtuar që në seancat e radhës të ketë një shqyrtim të Raportit të Progresit. Ishte kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ai i cili u sugjeroi deputetëve që të presin edhe versionin e përkthyer të këtij raporti, duke thënë se një pjesë nuk e kanë kuptuar mirë pasi që është në gjuhën angleze.
XS
SM
MD
LG