Ndërlidhjet

Në Kosovë (s')ka gazetari hulumtuese


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Në Kosovë mungon ende liria e shprehjes. Më të rrezikuarit janë gazetarët që zhvillojnë tema hulumtuese.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka evidentuar dhjetëra raste, në të cilat gazetarët janë penguar në punën e tyre, janë kërcënuar, e madje edhe rrahur.

Mungesën e lirisë së shprehjes në Kosovë e ka theksuar edhe Raporti i fundit i Progresit, i publikuar nga Komisioni Evropian.

Publicisti Halil Matoshi tha se përpjekjet e gazetarëve për tema hulumtuese mbesin në gjysmë të rrugës për shumë shkaqe.

“Nuk funksionon sistemi politik, është në kolaps; nuk funksionon gjykata e pavarur dhe nuk ka transparencë; burimet e informimit janë shumë të mbyllura, jo vetëm te pushteti lokal, por edhe te mekanizmat ndërkombëtarë si: EULEX-i, ICO-ja dhe të tjerët”.

“Prandaj edhe ekzistojnë kërcënimet, shantazhi dhe sulmi. Vetëm këtë vit, sipas raporteve zyrtare, janë shënuar 24 sulme fizike ndaj gazetarëve”,
tha Matoshi.

As Arsim Lani, anëtar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, nuk është i kënaqur me nivelin e gazetarisë hulumtuese në Kosovë.

“Gazetari hulumtuese në Kosovë, për fat të keq, nuk ka, ose jo në nivelin që do të duhej të ishte, sepse në Kosovë ka çka të hulumtohet. Por, janë disa faktorë që ndikojnë në media, si faktori politik dhe ai ekonomik”, u shpreh Lani.

Mediumet në Kosovë, jo vetëm që nuk i japin hapësirë gazetarisë hulumtuese, por shumë nga to e ngufasin atë, tha Avni Zogiani, nga organizata “Çohu”.

“Në Kosovë është bërë praktikë që në media të mbizotërojë versioni zyrtar i ngjarjeve. Mendoj se kjo është brengosëse dhe zvogëlon hapësirën për gazetari hulumtuese”, shtoi ai.

Matoshi tha se gazetaria hulumtuese nuk është sfidë vetëm për Kosovën. Sipas tij, gjendje e njëjtë është edhe në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni e më gjerë.

“Ka probleme të mëdha me gazetari hulumtuese edhe në Serbi, Kroaci e pothuajse në të gjitha vendet e rajonit e më gjerë. Por ne, si rajon, kemi probleme konceptuale, për shkak të ardhjes në pushtet të një klase të re, që përdor luftën e saj për ta dominuar tërë shoqërinë”, u shpreh ai.

Gazetarja Serbeze Haxhiaj e lidh problemin në fjalë me mungesën e mediave të pavarura.

“Në Kosovë, niveli i gazetarisë hulumtuese është në rënie, për faktin se në Kosovë ka media të lira, por jo të pavarura. Kjo ka bërë që ky zhanër të mbytet në njëfarë mënyre”, tha ajo.
XS
SM
MD
LG