Ndërlidhjet

Të verbrit: Nevoja për mbrojtje institucionale


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Draft-ligji për personat e verbër apo me të parë të dobësuar në Kosovë është hartuar dhe pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës.

Mexhit Foniqi, përfaqësues i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, thekson nevojën e miratimit sa më parë të këtij ligji, pasi, siç thotë ai, kjo kategori e shoqërisë duhet të mbrohet edhe institucionalisht.

“Ky ligj do ta përmirësonte sadopak gjendjen ekonomike e sociale të komunitetit të të verbërve. Të verbrit, deri tani, kanë mundur të fitojnë një pension të aftësisë së kufizuar prej 45 eurosh dhe atë nuk kanë mundur ta fitojnë pa pasur edhe një aftësi tjetër të kufizuar, qoftë fizike ose psikike”, thotë Foniqi.

Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Kryeministri, shprehet optimist për miratimin e shpejtë të ligjit në fjalë. Një hap i tillë, shton ai, do të sjellë benefite në realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

“Politikat që hartojnë planin kombëtar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara zënë një kaptinë të veçantë drejt realizimit të të drejtave të tyre në arsimim, punësim dhe në qasjen e tyre në përgjithësi”, thotë Hajredini.

Bujar Kadriu, kryetar i Shoqatës së të Verbërve, njëherësh me të parë të dobësuar, thotë se sfidë e madhe e personave të verbër është diskriminimi, që, sipas tij, është element shumë negativ.

“Të verbërve u bëhet diskriminim në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe kjo krijon barriera për integrimin e tyre në shoqëri. Këta qytetarë ballafaqohen edhe me mungesë të vendeve të punës, edhe pse në Kosovë kemi legjislacionin, i cili u mundëson personave të verbër të jenë pjesë e kompanive të ndryshme, por ky legjislacion nuk zbatohet”.

“Punësimi është një sfidë shumë e madhe, e cila detyrimisht i bën të verbrit t’iu nënshtrohen skemave sociale”,
thotë Kadriu.

Sipas Shoqatës së të Verbërve, në Kosovë supozohet se jetojnë më shumë se 4,000 persona të verbër dhe me të parë të dobësuar.
XS
SM
MD
LG