Ndërlidhjet

Eurozona: Nën ethet e samitit të "shpëtimit"


Ilustrim
Ilustrim
Kreu i Komisionit Evropian po iu kërkon liderëve të Bashkimit Evropian që të “bëjnë gjithçka” që ata munden, për të ruajtur valutën e përbashkët të euros, ndërsa po përgatiten të tubohen në samitin e sotëm.

Hoze Manuel Baroso tha se “e tërë bota po shikon” samitin që është parë si shansi i fundit për të penguar kolapsin e Eurozonës 17-anëtarëshe, pas dëmtimit që pësoi nga borxhet e vendeve anëtare.

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet që të nxisin një integrim më të ngushtë ekonomik, përfshirë edhe një traktat të ri të BE-së, i cili do të zbatonte një disiplinë strikte buxhetore.

Por, është e paqartë nëse të gjitha shtetet do të mund të pajtohen për të gjitha masat e reja dhe nuk është vendosur nëse rregullat e reja do të aplikohen në 17 vendet e Eurozonës, në 27 vendet e BE-së apo në shtete të përziera nga të dyja grupet.

Flamujt e vendeve anëtare të BE-së
Flamujt e vendeve anëtare të BE-së
Çështja më urgjente është nëse Brukseli mund ta largojë krizën e menjëhershme që po e kërcënon Eurozonën - e ajo vjen nga Agjencia e Klasifikimit të Kredive, e cila kërcënon se do t’i degradojë disa shtete kryesore.

Nikolas Veron, një ekonomist nga grupi me ndikim Bruegel me seli në Bruksel, paralajmëron se nuk do të ketë një zgjidhje befasuese gjatë kësaj jave, ashtu siç dëshirojnë disa.

“Është e mundur që liderët t’ia dalin që, të paktën, të blejnë pak kohë për të diskutuar në institucionin që është në thelb të krizës dhe të bëjnë përparim në javët dhe muajt e ardhshëm, në mënyrë që të ecim drejt zgjidhjes. Nuk do të ketë zgjidhje përfundimtare në këtë muaj, por mund të bëhet përparim”, thotë Veron.

Në mes të propozimeve gjermano-franceze janë sanksionet automatike për secilin shtet që hyn në deficit prej më shumë se 3 për qind të GDP-së. Ato po ashtu duan një “rregull të artë”, të ndërtuar brenda buxhetit të vendeve anëtare të Eurozonës, kundër rrëshqitjes në deficit.

Por, nuk është e qartë se cili institucion do t’i mbikëqyrë dhe zbatojë sanksionet.

Franca po ashtu ka hezituar që t’ia japë fuqitë buxhetore një trupi mbikomëbtar, siç është Komisioni Evropian, dhe tashmë është siguruar nga Berlini se Gjykata Evropiane e Drejtësisë nuk do të mund të shfuqizojë buxhetin kombëtar.

Gjykata e lartë e BE-së, megjithatë, do të jetë në gjendje që të vlerësojë nëse buxhetet kombëtare u janë bindur “rregullave të arta”.

Edhe Sarkozi, edhe Merkel kanë dhënë indikacione se duan që 27 vendet të pajtohen për ndryshimet, por që janë të gatshëm që të pranojnë një marrëveshje në mes të 17 shteteve që përdorin monedhën e përbashkët.

Disa shtete te Evropës Qendrore që nuk e përdorin euron, si Polonia, mund të nënshkruajnë, por Britania e Madhe dhe eventualisht Çekia nuk do ta bënin një gjë të tillë.

Londra i ka të lidhura duart nga një numër i madh i euro-skeptikëve, anëtarë të Parlamentit nga Partia Konservatore, të cilët do të donin që të ketë një lloj referendumi në Britani në lidhje me relacionet e vendit me BE-në.

Kryeministri Dejvid Kameron ka qenë i rezervuar që të japë dritën jeshile për referendum.

Liderët evropianë do të shikojnë për të gjitha rrugët e mundshme legale, në mënyrë që të shmangin një referendum, por, në planin afatgjatë, lëvizja drejt unitetit fiskal do ta bëjë të vështirë shmangien e votës popullore në Irlandë, pasi që kushtetuta e këtij vendi kërkon një plebishit të tillë.

Dublini njëherë e ka refuzuar Traktatin e Lisbonës dhe një kornizë e re ligjore vështirë se do të shitet në vendin që u godit nga masat e ashpra të kursimit.

Po ashtu ka dilema nëse tregjet financiare do ta kenë durimin që ta presin një proces të tillë të gjatë politik.

Marko Inserti, nga Qendra për Studimet Politike Evropiane (CEPS), beson se një nënshkrim mund të arrihet këtë javë dhe se traktati i ri do të miratohet pas një viti e gjysmë.

”Mesatarisht, bazuar në përvojat e kaluara, duhen 18 muaj që nga nënshkrimi e deri te ratifikimi në të gjitha 27 vendet anëtare - nëse po flasim për 27 vendet. Por, nëse flasim për 17 vende, atëherë do të ishte pakëz më lehtë, pasi që janë më pak shtete në të cilat duhet bërë ratifikimi”, thotë Inserti.

Sa u përket çështjeve të tjera, liderët e BE-së pritet që të premten të marrin vendim nëse do t’ia japin ose jo Serbisë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. (a.i.)
XS
SM
MD
LG