Ndërlidhjet

Maqedonia kërkon NATO-n me referencën IRJM


Shkup - Foto arkivi
Shkup - Foto arkivi
Maqedonia nuk e përjashton mundësinë që të bëjë kërkesë të re për anëtarësim në NATO, para se Greqia të vendosë të tërhiqet nga marrëveshja e përkohshme e vitit 1995, me të cilën obligohej të mos e pengonte anëtarësimin e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare me emrin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM).

Njoftimet e këtilla jozyrtarisht janë bërë të ditura nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Maqedonisë, duke komentuar ofensivën e palës greke për tërheqje nga marrëveshja e përkohshme, për shkak të vlerësimeve se ajo “nuk i mbron interesat greke”.

Kërkesa për anëtarësim në NATO sërish do të bëhej me referencën IRJM, për shkak të, siç thonë, vendimit favorizues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilin autoritetet në Shkup e shohin si shans për të përfituar pa mbyllur çështjen e emrit.

“Unë mendoj se ndryshimi që ndodhi me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në një mënyrë i jep argumente morale dhe politike Shkupit që të krijojë një terren për manovrime. Nuk mendoj se nga kjo do të kemi sukses, por më mirë të bëhet diçka sesa asgjë”.

“Në vitin 2008, pala greke refuzoi propozimin amerikan për pranimin e Maqedonisë dhe nëse sërish amerikanët insistojnë dhe ka argumente, atëherë nuk mund të përjashtohet asgjë”,
thotë Nano Ruzhin, ish-diplomat në Bruksel.

Duke komentuar prononcimet e zyrtarëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, se zgjidhja e kontestit rreth emrit mbetet kusht për zhbllokimin e procesit integrues, Ruzhin thekson:

“Gjithsesi se më adekuate do të ishte që të ketë një zgjidhje të pranueshme. Në këtë rast do të shmangej situata e pakëndshme që të ketë fitimtarë dhe humbës në kuadër të aleancës”.

“Por, edhe në rast se Maqedonia pranohet në NATO me referencën IRJM, nuk do të konsiderohej ndonjë fitore e madhe për Maqedoninë, sikur që nuk do të konsiderohej edhe humbje e madhe për Greqinë, e cila nuk pranon emrin tonë kushtetues”,
deklaron Ruzhin.

NATO - ilustrim
NATO - ilustrim
Por, Bekim Kadriu, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, nuk pret asnjë ndryshim në raport me integrimin e Maqedonisë në NATO, sikur edhe të paraqitet kërkesë e re për anëtarësim me referencën IRJM.

Sipas tij, tërheqja e Greqisë nga marrëveshja e përkohshme edhe më shumë do ta forconte pozicionin grek, pasi Athina zyrtare më nuk do të kishte as edhe një obligim që të mos i vendosë veto kërkesës së Maqedonisë për pranim në NATO.

“Palët kanë të drejtë që të tërhiqen nga marrëveshja e përkohshme, meqë kanë kaluar shtatë vjet - kjo është e para. E dyta është se në momentin kur të tërhiqet njëra palë, marrëveshja e obligon edhe një vit më pas ta respektojë atë. Dhe, e treta, Greqia i forcon pozicionet e veta pasi më nuk do të ketë obligime që të mos vendosë veto”.

“Andaj, Maqedoninë, me çfarëdo emri që të kërkojë anëtarësimin në Aleancën Veri-atlantike apo në Bashkimin Evropian, Greqia gjithmonë do të mund ta bllokojë, pasi nuk do të ketë më asnjë obligim që të mos vendosë veto”,
thotë Bekim Kadriu, duke shtuar se alternativë e vetme për zhbllokimin e procesit integrues të Maqedonisë mbetet zgjidhja e çështjes së emrit.
XS
SM
MD
LG