E premte, tetor 31, 2014 Kosova 19:28

Kronika

Deficiti buxhetor (s') rrezikon stabilitetin financiar

Ilustrim
Ilustrim
Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se deficiti buxhetor i këtij viti do të jetë më i lartë sesa që është planifikuar nga Qeveria e Kosovës, dhe se ekziston rrezik potencial për mbulimin e tij.

Ata thonë se Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, nuk do të mund të arrijnë të mbledhin të hyrat të cilat ishin zotuar në fillim të këtij viti, dhe siç thonë ata, do të krijohen probleme.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Lekë Musa, thotë se deficiti buxhetor për vitin 2011 mund të jetë shumë më i larë, sesa që e ka projektuar Qeveria e Kosovës.
Siç shihet, sivjet Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë probleme për të arritur qëllimet apo kufijtë në të cilët janë zotuar në fillim të këtij viti...

Siç shihet, sivjet Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë probleme për të arritur qëllimet apo kufijtë në të cilët janë zotuar në fillim të këtij viti, dhe deficiti buxhetor mund të rritet, dhe ekziston një rrezik potencial që kjo të realizohet”, tha ai

Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës hedhin poshtë deklaratat e ekspertëve të çështjeve ekonomike.

Ata thonë se gjatë këtij viti ka rritje të madhe të të hyrave nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Menderes Ibra, këshilltar për politikë i Ministrit të Financave, Bedri Hamzës, thotë se të hyrat në këtë vit nga këto dy institucione janë ndër më të lartat që ka ndodhur ndonjëherë në buxhetin e Kosovës.

Sipas tij, kjo ka bërë që të bëhen këto projeksion buxhetore.

Presim se do të ketë përmbushje të planit sa i përket të hyrave. Ata zëra që thonë se deficiti do të jetë më i lartë do t’u thosha se projeksionet që ne i kemi hartuar në buxhet janë tejet real, dhe i kemi marrë parasysh të gjitha alternativat e mundshme, qoftë të të hyrave, qoftë të shpenzimeve, dhe mendoj që është një projeksion shumë i balancuar”, thotë Ibra.

Ndër të tjera ai thotë se kanë projektuar deficitin e përgjithshëm buxhetor në vlerë prej 172 milionë euro ose përafërsisht 3.5 për qind të vlerës së produktit të brendshëm  bruto.

Ky deficit i projektuar në vlerë prej 172 milionë euro, sipas tij, parashihet të mbulohet  nga bilanci i akumuluar, emetimi i boneve të thesarit si dhe nga kredia e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ky projeksion prej 3.5 për qind të vlerës së produktit të brendshëm bruto është bërë nën supozimin se do të kemi ekzekutim të buxhetit 100 për qind, që zakonisht nuk ndodhë ashtu, ndodhë pak më ulët. Pra, në këtë rast do të kemi mundësinë që nëse të hyrat përformojnë më mirë sesa që kemi projektuar në zërat buxhetorë, atëherë deficiti do të jetë edhe më i ulët”, thekson Ibra.

Praktika e deritanishme të hartimit të buxhetit të Kosovës ka treguar se që nga viti 2002 kur i është lejuar Qeverisë së Kosovë të bëjë vet buxhetin ka qenë tepër e kujdesshme të parashikojë shpenzime aq sa ka të hyra.

Madje, me vite te tëra, Qeveria e Kosovës është kritikuar se nuk mund të shpenzojë buxhetin të cilin e planifikon.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova për herë të parë po ballafaqohet me deficit, e që sipas tij, është shumë vështirë se mund të mbulohet gjatë vitit 2012.

Suksesi i një qeverie në hartimin e buxhetit duhet të matet se sa do të krijojë të hyra.
Suksesi i një qeverie në hartimin e buxhetit duhet të matet se sa do të krijojë të hyra. Deficiti i lartë buxhetor është shumë shqetësues sepse kemi një trend të qeverisjes e cila po mundohet me çdo kusht që premtimet e dhëna elektorale, siç është autostrada, çoftë projekteve të ndryshme kapitale, t’i mbajë me çdo kusht, duke rrezikuar stabilitetin buxhetorë”, thekson Demi 

Në anën tjetër, sa i përket deficit buxhetor, edhe përfaqësues të FMN-së patën tërhequr vërejtjen se Kosova duhet të ketë kujdes që deficiti i saj buxhetor të mos jetë më i lartë se 5 për qind e bruto prodhimit vendor (GDP).

Për të menaxhuar deficitin, ata patën sugjeruar institucionet e Kosovës që të gjejnë fonde apo të hyjnë në borxh.

Megjithatë, ata kanë thënë se nëse Kosova bën një gjë të tillë, do të duhej të krijojë një sektor brenda Ministrisë së Financave, i cili do të merrej me menaxhimin e kësaj çështjeje.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum