Ndërlidhjet

“Shkupi 2014” - Projekti që ndan shoqërinë


"Porta Triumfale", Shkup.
"Porta Triumfale", Shkup.
Projekti “Shkupi 2014” që synon të ndryshojë, jo vetëm pamjen e sheshit qendror të kryeqendrës së Maqedonisë, por edhe të historisë së popujve të saj, vazhdon të ndërtohet sipas dinamikës së paraparë nga Qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Paralelisht me ndërtimin e këtij sheshi apo vendosjen e dhjetëra përmendoreve të personaliteteve të historisë maqedonase, zhvillohen edhe debate lidhur me këtë projekt - ndër më të diskutueshmin viteve të fundit.

Përveç projektuesit, Qeverisë, askush tjetër nuk e mbështet realizimin e këtij projekti. Disa në të shohin përvetësimin e historisë së popujve tjerë, disa të tjerë kundërshtojnë karakterin njëetnik, ndërsa të tretët nuk arsyetojnë harxhimin e qindra miliona eurove në kohën kur Maqedonia përballet me gjendje të rëndë ekonomike dhe nivel të lartë të papunësisë.

Skënder Hasani, nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, thotë se ajo çfarë po ndodh tani në sheshin e Shkupit është koncept i shekullit të XIX, kur luftohej për krijimin e shteteve apo të kombeve të ndryshme.

“Koncepti i shekullit XXI është ai i thyerjes së kufijve, koncept i integrimit, i afrimit të popujve dhe shteteve, por në Maqedoni ndodh krejtësisht e kundërta, ne kthehemi në shekullin e XIX, duke u larguar nga konceptet dhe integrimet euroatlantike. Mendoj se projekti ‘Shkupi 2014’, paraqitet për shkak të krizës së identitetit të bashkëqytetarët tanë”, vlerëson historiani Hasani.

Projekti në fjalë vazhdon të shkaktojë pakënaqësi edhe për shkak të mungesës së transparencës financiare. Pa përfshirë ndërtesat e stilit barok, vetëm përmendore gjatë vitit të kaluar, sipas drejtuesve të pushtetit, ishin harxhuar afër 100 milionë euro, por, vlerësimet e këtilla janë quajtur qesharake nga opozita, e cila pretendon për harxhimin e rreth 300 milionë eurove - shumë kjo që deri në mbyllje të projektit do të tejkalojë 500 milionë eurot.
Një nga skulpturat e vendosura në "Shkupi 2014"...
Një nga skulpturat e vendosura në "Shkupi 2014"...

“Për financimin e këtyre objekteve asnjëherë nuk mund të merrni të dhëna se kush sa paguan. Në buxhetin e shtetit ka një përqindje të mjeteve të parapara për investime kapitale, por nuk thuhet qartazi se cilat janë ato projekte kapitale, por siç duket ato para harxhohen për ndërtimin e këtyre përmendoreve. Ka lëshime të shumta në procedurat e ankandeve, thjesht nuk ka konkurrencë ”, thotë Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare “Transparenca Zero Korrupsioni”.

Derisa Taseva tenton të mësojë koston financiare, projekti, në anën tjetër, vazhdon të ngrejë tensionet ndëretnike, në veçanti pas përurimit të “Portës Triumfale”, e cila ka kushtuar 4 milionë euro dhe që është e stolisur me piktura murale që nga antikiteti e deri në ditën e sotme. Në to nuk ka asnjë element për historinë shqiptarëve që përbëjnë entitetin e dytë në Maqedoni.

Për t’i heshtur zërat se projekti është monoetnik, nga Qeveria kanë premtuar që në mesin e dhjetëra përmendoreve maqedonase të jenë edhe dy apo tri të shqiptarëve, por realizimi i tyre ka mbetur vetëm në fjalë.

Historiani Skënder Hasani thotë se me këtë tentohet të zbuten pakënaqësitë dhe tensionet në rritje, por e gjithë kjo është e kotë, për shkak të absurditeteve që e përcjellin projektin. Ai për këtë fajëson partitë shqiptare, që, sipas tij, nuk arritën të parandalojnë politikat tensionuese të VMRO DPMNE-së që dekadën e fundit kanë shënuar ndryshim në veprimtaritë e saj.

“Gjatë historisë dihet shumë mirë se brenda VMRO-së janë gërshetuar dy koncepte, ai i antikitetit dhe koncepti sllav. Koncepti sllav kulmoi gjatë vitit 1998-2002, kur u ngritën kryqe në gjithë Maqedoninë dhe në malin ‘Vodno’ të Shkupit, kurse periudha e viteve 2006-2012 kulmoi me ndërtimin e sheshit ‘Shkupi 2014’. Për fat të keq, subjektet politike shqiptare nuk mundën të parandalojnë një kulmim të këtillë të politikës së VMRO-së ”, thekson Hasani.
XS
SM
MD
LG