Ndërlidhjet

Protesta me skenar të njëjtë


Foto arkiv
Foto arkiv
Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga protestat e 22 janarit në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën “jokushtetues dhe të turpshëm” mocionin e së premtes dhe thanë se me protestat e së dielës synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.

“Me protestën tonë të nesërme, sërish ne synojmë që t’ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë dhe t’ia japim këtë pushtet shtetit të Kosovës, të cilin duam ta forcojmë. Prandaj, kërkojmë nga Policia e Kosovës, e posaçërisht nga njësitë e saj speciale që të mos na pengojnë në pengimin e Serbisë. Neve po na zhduket Republika, përderisa nuk kemi reciprocitet me Serbinë”, tha Kurti.

Kurti i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, ku drejtoi akuza ndaj kryeministrit Hashim Thaçi, duke thënë se nga zyra e tij “ka urdhëruar dhunën policore ndaj protestuesve më 14 janar”, si dhe kërkoi që përmes 10 pyetjeve të sqarojë në detaje takimet që, sipas Kurtit, kryeministri Thaçi i ka zhvilluar dy herë me presidentin serb, Boris Tadiq.
Albin Kurti e Glauk Konjufca
Albin Kurti e Glauk Konjufca

Kuvendi i Kosovës miratoi të premten me 59 vota për, mocionin e ri për reciprocitet me Serbinë, i cili shfuqizon jo vetëm mocionin e iniciuar nga Vetëvendosja më datën 7 dhjetor, por edhe të gjitha vendimet e Kuvendit që kishin të bënin me reciprocitet ndaj Serbisë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca tha se mocioni i së premtes nënkupton vdekje të republikanizmit dhe parlamentarizmit.

Me ditën e djeshme Kosova si shtet ka hyrë në nj fazë të re të autoritarizmit të pushtetit. Tash të gjithë po e kuptojmë se kemi një Qeveri tërësisht të pakufizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dje, Qeveria na ka thënë ‘unë bëj ç’të dua me shtetin, sepse i kam 59 deputetë’. Miratimi i marrëveshjeve me Serbinë me 59 deputetë tregon se Qeveria e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë”, u shpreh Konjufca.

Konjufca la të kuptohet se mund të kërkohet mendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mocionin e djeshëm, por shprehu dyshimin se Qeveria, sipas tij, sërish do të dalë edhe mbi vendimin e Kushtetueses, po qe se gjykata thotë se mocioni është jokushtetues.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media zbuloi planin operativ për 22 janarin, në të cilin iu bëhet thirrje protestuesve që të mos i bllokojnë rrugët magjistrale, të mos bllokohet qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan.

Policia e Kosovës bëri të ditur se do “t’i ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Përmes njoftimit për media, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që ”t’u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve”.

Policia e Kosovës, po ashtu, u është drejtuar përmes një shkrese qytetarëve, ku ka kujtuar obligimet e Policisë për ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe të drejtat e qytetarëve sipas ligjit për tubimet publike.

Që nga protestat e 14 janarit, në të cilat ndërhyri Policia e Kosovës, u zhvillua një debat i zjarrtë mes Vetëvendosjes dhe Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi takime me krerët e partive politike parlamentare, nga të cilët ka kërkuar që të gjejnë zgjidhje brenda institucioneve dhe përmes dialogut.

Një ditë më parë ajo u takua me kryeministrin Hashim Thaçi, që është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.

Ndërkaq sot ka zhvilluar takime me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, dhe atë të Aleancës Kosova e re, Behxhet Pacollin.

Në takime të veçanta, sipas njoftimit për media, presidentja Jahjaga ka bashkëbiseduar me subjektet politike për çështjet në interes të vendit, me theks të posaçëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

Presidentja Jahjaga citohet të ketë thënë se “debati dhe procesi i vendimmarrjes duhet të zhvillohet në institucione të Kosovës dhe aty të kontribuohet në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave”.

Kurti ndërkaq, sqaroi se takimi me presidenten Jahjaga, të shtunën, ka qenë më shumë informues në lidhje me gjendjen aktuale dhe se nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga presidentja as për heqje dorë nga protesta dhe as për ndonjë takim mes të gjitha subjekteve politike.

Në këtë takim kur shkova, nuk më ftoi për takime të tjera, por vetëm më tha se do të ishte mirë që të zhvillojmë komunikim, bashkëpunim të vazhdueshëm, por jo për atë që është përfolur nëpër media. Domethënë nuk ka kurrfarë takimi subjektesh, sepse ne subjektet jemi takuar në Kuvend”, tha Kurti.

Ndërhyrjen e policisë më 14 janar, ku u përdor gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve, e kishte dënuar edhe Amnesty International, Avokati i Popullit e Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ndërsa, presidentja Atifete Jahjaga pati thënë se 14 janari rrezikon ta kthejë prapa Kosovën.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke bllokuar të gjitha mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Një masë e tillë reciprociteti qe vendosur nga vetë Qeveria në muajin korrik, për t’u hequr në vjeshtë, pas marrëveshjeve të arritura në Bruksel.


Pyetjet e Vetëvendosjes për kryeministrin Hashim Thaçi:

1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiqin?

2. Ku dhe kur, saktësisht, është takuar këto dy herë me kryetarin e Serbisë, Tadiq?

3. Kush tjetër ka marrë pjesë në ato takime, për çka kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadiqit dhe çfarë Tadiqi Thaçit?

4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt është zhvilluar secili prej takimeve?

5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?

6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?

7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?

8. A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe, nëse po, kush e ka atë?

9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?

10. A e ka ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij, PDK, për këto takime?
XS
SM
MD
LG