Ndërlidhjet

Të rinjtë e Mitrovicës, jetë me kufizime


Mitrovicë - foto arkiv.
Mitrovicë - foto arkiv.
Situata politike e krijuar me vite të tëra në Mitrovicë, duket se ka bërë që shumë të rinj t’i nënshtrohen kësaj gjendjeje dhe të mos kenë një perspektivë në këtë qytet. Këtë të paktën e thonë për rubrikën tonë VOX, disa nga të rinjtë shqiptarë që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës.



Mungesa e lirisë së lëvizjes dhe e aktiviteteve të ndryshme, sipas tyre, ka bërë që ata të mos jenë të kënaqur me jetën që bëjnë aktualisht. Mitrovicasit ankohen edhe për mosndërmarrjen e masave në drejtim të përmirësimit të kushteve në shkolla dhe mungesën e një qendre për të rinjtë.

Fisnik Kumnova, student nga Mitrovica thotë se jeta për të rinjtë në këtë qytet është bërë e padurueshme:

“Kjo gjendje vjen duke u nisur nga barrikadat, mungesa e lëvizjes së lirë, mungesa e aktivitete të ndryshme jashtë shkollore dhe joformale etj. Rinia e Mitrovicës sot përballet me mungesën e infrastrukturës, ku ata d otë mund ta kalonin kohën e lirë. Sot në Mitrovicë nuk ka ndonjë program që parasheh aktivizimin e të rinjve në vullnetarizëm, ose aktivizimin e të rinjve në vendimmarrje. Do të thotë, të gjitha këto janë probleme, të cilat kushtëzohen nga njëra-tjetra edhe janë probleme që kanë në vete aspektin zinxhiror – pra, duhet të plotësohet gjithsesi një rrethanë e caktuar për t’u arritur një rezultat”.

Të dhënat e fundit të organizatave ekonomike në Kosovë, tregojnë se papunësia mbetet një nga problemet kryesore në vend. Në vitet e fundit në Kosovë, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas tyre llogaritet të jetë mbi 43 për qind. Festim Hajdari thotë se problemi kryesor, me të cilin ballafaqohen të rinjtë në Mitrovicë është papunësia.

“Nuk ka aktivitete të shumta, edhe nuk kanë me çka të merren të rinjtë. Papunësia është problemi kryesor”, tregon Festim Hajdari.

Edhe Hysni Zuka flet për numrin e madhe të të papunëve në Mitrovicë:

“Në mbrëmje kur bie terri, Mitrovica është një qytet i vdekur dhe nuk ka lëvizje. Afër urës shpeshherë ka të shtëna dhe ato dëgjohen shumë. Papunësia është shumë e madhe këtu te ne... Nuk ka punë nuk ka asgjë”.

Ndërkaq, karshi nivelit shumë të ulët të sistemit mësimor në Mitrovicë, niveli i papunësisë është shumë i lartë thotë Selvie Kurti. Ajo thotë, po ashtu, se nga kontaktet me të rinjtë, si në shkollë po ashtu edhe në ambiente të tjera, shumë të rinj synim kanë vendet jashtë Kosovës.

“Gjatë diskutimeve të përditshme që unë kam me kolegët e mi, ata faktikisht mision e kanë vetëm largimin nga Mitrovica dhe Kosova, gjetja e mundësisë ndoshta pë rtë studiuar jashtë. E, në të njëjtën kohë, shumë pak mendojnë të kthehen. Për këto vjet, përpos që Mitrovica ka humbur shumë banorë, pritet që në të ardhmen ai numër të rritet shumë më shumë”, shprehet Kurti.

Por, si të lëvizin drejt botës kur u pamundësohet lëvizja brenda vetë qytetit? Kjo është një çështje tjetër që preokupon të rinjtë e Mitrovicës. Arjeta Fejza, nxënëse e shkollës së mesme, tregon se problemin më të madhe të rinjtë e Mitrovicës e kanë lirinë e lëvizjes nga jugu në veri:

“Ne nuk guxojmë të dalim në atë anë edhe nëse e kemi një shok ose një shoqe për ta vizituar. Ose duhet të vijë ajo te ne, ose takohemi diku tjetër në qytet, ne nuk mund të dalim atje (në veri ). Po ashtu, edhe të tjerët, më të vjetrit nuk mund të dalin në atë anë, edhe pse ka edhe shqiptarë që banojnë atje. Unë, për shembull, i kam dajat dhe nuk mund t’i vizitoj atëherë kur kam dëshirë”.

Edhe Rik Fejza, nxënës i gjimnazit “Frank Bardhi”, thotë se në Mitrovicë për vite të tëra nuk ka pasur ndonjë zhvillim sa u takon çështjeve të të rinjve. Për më tepër, ai tregon se asnjëherë nuk ka pasur mundësi ta vizitojë veriun e qytetit.

“Për mendimin tim, në Mitrovicë nuk ka përparime nga ajo që kam vërejtur unë. Veç një parku që e kemi te ura - edhe atë shqiptarët nuk mund ta shfrytëzojnë. Përveç shkollës, në shtëpi dhe në lokale, për ta kaluar kohën, tjetër gjë ne nuk mund të bëjmë. Një problem i madh që na preokupon secilin është liria e lëvizjes në veri, për shembull unë kurrë nuk kam qenë në veri”, tregon Gashi.

Kurse, Edmon Kumnova konsideron se një nga problemet më të mëdha, me të cilin përballen të rinjtë në Mitrovicë, është mungesa e lirisë së lëvizjes nga jugu në veri dhe anasjelltas.

“Dihet se si është gjendja, për shkak të barrikadave. Ata banorë që banojnë andej, për të ardhur këtej, e kanë një autobus që qarkullon tri herë në ditë. Ky është qarkullimi i tyre. Ata kanë kufizime. Rinia e asaj ane ka shumë kufizime për t’u përshtatur me orarin e autobusit, për të gjetur kohë të lirë që të qëndrojnë me shokët e tyre në jug apo edhe në universitet. Kjo është një pikë shumë e dobët, megjithëse është premtuar se do të punohet në këtë drejtim... Kjo është çështje politike dhe si e tillë vendoset nga politika”, sqaron Edmond Kumnova.

Raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare u kanë rekomanduar institucioneve kosovare që të angazhohen më tepër për rritjen e punësimit, duke vlerësuar se shkalla e punësimit mbetet shumë e ulët, ndërsa niveli i papunësisë së të rinjve dhe ai i papunësisë afatgjate mbesin ende shumë të larta.
XS
SM
MD
LG