Ndërlidhjet

Referendumi: I suksesshëm apo i pavlefshëm?


Leposaviq...
Leposaviq...

Përfaqësuesit politikë të serbëve të veriut vlerësojnë se referendumi i tyre, me anë të cilit i kundërshtojnë institucionet dhe shtetin e Kosovës ka pasur sukses.

Përderisa Qeveria, Kuvendi dhe analistët politikë në Prishtinë thonë se ky referendum nuk do të ketë efekte legale e politike për të ardhmen e kësaj pjese të Kosovës.

Referendumi është kundërshtuar edhe nga Kuvendi i Kosovës i cili përmes një deklarate e shpallë këtë referendum të pavlefshëm dhe pa efekte juridike.

Deklarata e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës nuk është mbështetur vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në vend të deklaratave ka kërkuar që me veprime në terren të ndalet cenimi i integritetit të Kosovës.

Një pjesë të tekstit të harmonizuar të pozitës dhe opozitës e ka lexuar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Kuvendi i Republikës së Kosovës e kundërshton, e shpallë të paligjshëm e të pavlefshëm referendumin e strukturave paralele në komunat veriake të Kosovës të financuara e drejtuara nga Republika e Serbisë kundër pavarësisë, sovranitetit e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, lexoi një pjesë të deklaratës Beqiri.

Ndërkaq Qeveria, ndonëse ka vlerësuar se veprime të tilla cenojnë integritetin e Kosovës, megjithatë përmes zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi thotë se referendumi është ilegal dhe pa efekte juridike.

Ai, edhe me këtë rast ka fajësuar edhe Serbinë për ndikimin e saj në organizime të tilla ilegale në veri.

Një referendum i tillë nuk ka efekte juridike. Në anën tjetër është ilegal, ngase është organizuar nga njerëz që nuk kanë kompetenca të tilla. Është një orvatje e Qeverisë së Serbisë që të bëjë një lojë me atë pjesë të territorit tonë. Po ashtu, do të thosha një orvatje e disa serbëve që identifikohen me strukturat ilegale të fitojnë legjitimitet demokratik apo ta përdorin si mjet politik në të ardhmen. Por jemi të bindur se ashtu siç është mbajtur shpejt edhe do të harrohet shpejt”, është shprehur Kuçi.

Referendumi i serbëve në veri është përcjellë nga afër nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Analisti i këtij Grupi, Naim Rashiti, thotë se me anë të referendumit, serbët e veriut duan që të përdorin instrumentet politike për fuqizimin e pozicionit të tyre në negociatat e ardhshme rreth çështjes së veriut.

Sa i përket Kosovës, nuk besoj se ka ndonjë efekt legal. Shumë referendume në Ballkan janë mbajtur dhe kanë mbetur aty ku janë mbajtur 20 – 30 vjet më herët. Prandaj është vetëm një lloj sondazhi zyrtar për agjendën politike të udhëheqjes lokale të veriut”, vlerëson Rashiti.

Analisti Rashiti mendon po ashtu se me këtë referendum liderët e serbëve të veriut duan të avancojnë pozicionin e tyre politik.

Ndërkaq, një zhvillim tjetër i rëndësishëm për veriun dhe qasjet separatiste atje, sipas tij, do të jenë zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi dhe mbajtja eventuale e tyre edhe në Kosovës.

Kjo do të tregojë menjëherë me zgjedhjet, nëse Beogradi nuk mban zgjedhje në Kosovë dhe në veri është sinjal shumë i qartë për veriun. Sa i përket referendumit, Beogradi nuk ka përkrahur fare”, thotë Rashiti.

Gjatë ditës, anëtari dhe zëdhënësi i komisionit për organizimin e referendumit, Lubomir Radoviq tha se votimet kanë kaluar qetë dhe nuk janë shënuar ankesa apo incidente.

Sipas tij, referendumi ishte i suksesshëm, përderisa ka konfirmuar se tri fshatra të Zveçanit të populluara me shqiptarë nuk kanë marrë pjesë në votime.

Tri fshatra të komunës së Zveçanit ku jetojnë shqiptarët nuk kanë marrë pjesë në referendum. Ne i kemi njo0ftuar ata, por nuk kanë dashur të marrin pjesë”, ka thënë Radoviq.

Përfshirja e komuniteteve tjera në referendum ishte një nga qëllimet e organizatorëve. Liljana Lumoviq thotë se kanë dalë edhe ekipe mobile në Lagjen e Boshnjakëve në mënyrë që edhe ata të votojnë, por nuk ka dhënë statistika nëse ka pasur përgjigje apo jo nga qytetarët.

Për shkak të pamundësisë së tyre për të dalë në këtë kohë ngase ata janë njerëz të moshuar, kryesisht boshnjakë e goranë, por ne kemi dërguar ekipe mobile në mënyrë që t’u mundësohet votimi”, tha Lumoviq.

Në anën tjetër, pjesëtarët e komunitetit serb votuan edhe të mërkurën në referendumin e organizuar nga strukturat paralele të pushtetit në veri.

Me këtë referendum presim që populli edhe njëherë t’i thotë jo të ashtuquajturës Republikë e Kosovës dhe ta themi edhe njëherë se përveç Serbisë ne nuk pranojmë shtet tjetër në këtë pjesë” tha Millosh Deniq, një qytetar që sapo kishte mbaruar votimin.

Presim t’i tregojmë botës se në veri të Kosovës nuk janë kriminelët, por është populli ai që me barrikada ka dashur të dëshmojë se është kundër institucioneve të ashtuquajturës Republikë e Kosovës”, thotë një qytetar tjetër nga Mitrovica, Jovan Millosheviq.

Më 14 dhe 15 shkurt, nën organizimin e strukturave paralele serbe, mbi 35 mijë banorë të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe veriu i Mitrovicës janë ftuar të votojknë se i pranojnë apo jo institucionet e Republikës së Kosovës.

Pas referendumit mbetet të shihet se çfarë veprimesh do të ndërmarrin serbët lokalë në veri, përkatësisht nëse do të ndërmarrin veprime politike separatiste apo do të vazhdojnë me organizmin paralel të pushtetit në veri, karshi institucioneve të shtetit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG