Ndërlidhjet

WSJ:Serbët vazhdojnë të refuzojnë pavarësinë


Referendumi serb në veri të Kosovës, më 14 shkurt 2012.
Referendumi serb në veri të Kosovës, më 14 shkurt 2012.
"Wall Street Jorunal"


Serbët në veri të Kosovës kanë hedhur poshtë autoritetin e pushtetit qendror të vendit me një “jo” të madhe në referendumin simbolik, duke komplikuar kështu përpjekjet për qetësimin e tensioneve etnike, si dhe duke vënë një tjetër pengesë në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Në dy ditët e votimit, 99.7 për qind e votuesve lokalë kanë refuzuar të pranojnë legjitimitetin e shtetit të udhëhequr nga shqiptarët.

Referendumi, edhe pse jo i detyrueshëm ligjërisht, tregon thellësinë e mosbesimit dhe armiqësinë, pas më shumë se një dekadë përpjekjesh për shtet-ndërtimin e Kosovës.

Institucionet e ekzekutivit kosovar kanë fituar besueshmërinë e shumicës shqiptare dhe, sipas mbështetësve të tyre, është shënuar përparim i rëndësishëm në integrimin e komunitetit serb në jug të vendit.

Por, serbët në veri, të cilët marrin mbështetje të rëndësishme ekonomike dhe politike nga Beogradi, vazhdojnë të hedhin poshtë deklarimin formal të pavarësisë së Kosovës, që u bë në shkurt të 2008-s.

Rajoni ka qenë skenë e një sërë konfrontimesh të dhunshme ndërmjet serbëve lokalë dhe paqeruajtësve të NATO-s, prejse zyrtarët kosovarë kanë tentuar të shtrijnë kontrollin e tyre në zonat e banuara me shumicë serbe, verën e kaluar.

Këto përleshje e kanë bërë Serbinë të ngecë në rrugën e saj për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhjetorin e kaluar. Udhëheqësit evropianë duan që Beogradi të ndihmojë në qetësimin e situatës, si dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën.

Zyrtarët kosovarë e kanë dënuar referendumin. “Ai është i pavlefshëm politikisht dhe ligjërisht”, ka thënë Ylber Hysa, zyrtar për mbikëqyrjen e politikës për veriun.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, u ka bërë thirrje serbëve të veriut të heqin dorë nga referendumi, duke thënë se organizimi i tillë mund t’i dëmtojë interesat e shtetit serb. Ai, po ashtu, u ka kërkuar atyre të largojnë barrikadat, të vendosura në përpjekje për të parandaluar Prishtinën nga zgjerimi i juridiksionit të saj efektiv.

E ardhmja politike e zotit Tadiq është ngushtë e lidhur me progresin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nëse BE-ja shtyn sërish vendimin për aplikimin e Serbisë në muajin mars, një gjë e tillë do të mund ta dëmtonte Tadiqin dhe aleatët e tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa në anën tjetër do të forconte opozitën nacionaliste.

Në një intervistë për mediat serbe, zëvendëskryeministri i parë serb, Ivica Daçiq, ka tërhequr vërejtjen se nëse anëtarësimi i Serbisë në BE mbetet në baltë, kjo mund t’i çonte nacionalistët pro-rusë të Serbisë në pushtet, ashtu si edhe vendin në orbitën e Moskës.

Serbët e Kosovës druajnë se kauza e tyre po zbehet në Beograd, pasi ky i fundit po ndjek lidhje më të ngushta me BE-në.(v.t.)

*** Titulli është përshtatur nga redaksia.
XS
SM
MD
LG