Ndërlidhjet

Kundërshtojnë fusnotën


Ligjvënësit kosovarë...
Ligjvënësit kosovarë...
Opozita në Prishtinë e ka kundërshtuar ashpër pajtimin e shprehur të kryeministrit Hashim Thaçi që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet edhe me një fusnotë, ku mes tjerash figuron edhe Rezoluta 12 44.

Një marrëveshje e tillë eventuale, nga opozita është cilësuar e dëmshme dhe kundër shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Detajet e kësaj marrëveshjeje që pritet të arrihet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi nuk i janë prezantuar spektrit politik dhe institucioneve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, përveç se ka konfirmuar se nuk i di detajet e marrëveshjes që pritet për fusnotën, i ka sugjeruar qeverisë që të mos ngutet me marrjen e vendimeve të cilat, sipas tij, mund të kenë pasoja politike në të ardhmen.

Ne sugjerojmë që institucionet e Kosovës dhe Kuvendi si institucion dhe qeveria, të mos nguten në disa vendime që nuk janë krejt të qarta prapaskenat e tyre. Megjithatë ne si Kuvend nuk kemi një dokument zyrtar që do të na konfirmonte se është arritur një marrëveshje e tillë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai tha po ashtu se sikurse në rastin e marrëveshjeve tjera, edhe çështja e fusnotës për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale është e paqartë për Kuvendin dhe nuk pritet që të kërkohet miratimi i këtij institucioni për zbatimin e saj.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas kryetarit të saj, Isa Mustafa, e ka marrë me shqetësim lajmin për kompromisin e bërë nga kryeministri Thaçi, që Kosova, në forumet rajonale, mos të përfaqësohet si Republikë, por në vend të kësaj të shtohet një fusnotë, e cila i referohet edhe Rezolutës 12 44.

Mustafa ka akuzuar kryeministrin Thaçi se me këtë marrëveshje po heq dorë nga shtetësia e Kosovës, duke betonuar përfundimisht neutralitetin ndaj statusit.

LDK-ja beson se heqja dorë nga Republika paraqet heqje dorë nga elemente kushtetuese të shtetësisë dhe ky vendim mund t’i ndihmojë vetëm Serbisë në rrugën e saj drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa kompromisi, që është në dëm të Kosovës, po bëhet pikërisht për shkak se Serbia nuk pranonte të qëndronte në të njëjtat salla ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

LDK konsideron se agjenda evropiane e Kosovës nuk shtyhet përpara duke bërë kompromise në dëm të shtetësisë, por duke plotësuar kushtet e nevojshme për këtë proces, që ndër të tjera përfshin luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Një qëndrim krejtësisht kundër propozimit të Thaçit për fusnotën ka paraqitur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Një marrëveshje eventuale ku do të figuronte rezoluta 12 44, sipas Vetëvendosjes, do të përbënte shkelje të Kushtetutës dhe kthim në kohën e para shpalljes së pavarësisë.
Visar Ymeri nga ky subjekt politik, tha se Vetëvendosje dhe të gjitha subjektet tjera politike po i shqyrtojnë të gjitha masat për parandalimin e kësaj marrëveshjeje, duke përfshi si masat në kuadër të Kuvendit të Kosovës ashtu edhe protestat.

Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës është antikushtetuese, për shkak se Kushtetuta e definon Kosovën shumë qartë si Republikë dhe nuk e definon me fusnota apo me ndonjë dokument tjetër. Pasi që ne nuk jemi mbretëri, padyshim që nuk mund të ketë pavarësi të Kosovës pa pasur Republikë të Kosovës. Heqja e Republikës është zhbërje e pavarësisë. Në vend se në katër vjetorin e pavarësisë të krenohemi me sovranitetin e arritur, ekonominë e zhvilluar dhe mirëqenien e përmirësuar, kryeministri po e shpallë heqjen e Republikës”, ka thënë Ymeri.

Reagimet e subjekteve politike pasuan gatishmërinë e shprehur të kryeministrit Hashim Thaçi që përfaqësimi i Kosovës në forumet dhe nismat rajonale të përmbajt edhe fusnotën ku shënohet rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara - siç kishte insistuar Serbia, si dhe krahas saj edhe Deklaratën e shpalljes së pavarësisë dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë.
XS
SM
MD
LG