Ndërlidhjet

Politika ngufat veprimin e OJQ-ve


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Vetëdija për organizim qytetar në funksion të demokratizimit të shoqërisë dhe institucioneve, nuk është dhe aq e ulët në Maqedoni, por është politika ajo që e ngulfat veprimin e sektorit civil, përmes presioneve të ndryshme, thonë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Maqedoni.

“Akoma faktorë të ndryshëm, prej frikës nga tjetërsimi, ngase mund të quhesh tradhtar te kombi yt e kështu me radhë, bën që qytetarët të frikësohen dhe të mos u hynë këtyre punëve për të mos e prishur komoditetin e tyre, madje dhe sigurinë e tyre, sepse mund të ballafaqohen me kërcënime të formave të ndryshme”, thotë Petrit Saraçini, aktivist Lëvizja Qytetare Kundër Dhunës Policore.

Sipas tij, shoqëria civile tashmë me hapa të vështirë, por të sigurt, fillon t`u prijë proceseve, sa i përket bashkimit të forcave të qytetarëve të të gjitha etniteteve në funksion të ndërtimit të shoqërisë demokratike.

“Unë mendoj se tashmë u thye ky mur, u bë një plasaritje këtyre viteve të fundit dhe kjo vrimë që promovon interesat e mirëfillta të qytetarëve do të hapet shumë e më shumë. Jam i mendimit se në periudhën e ardhshme, vitet në vijim, do të shohim forma edhe më masive dhe më autentike të organizimit qytetar”, shprehet Saraçini.

Ndërkohë, Lidija Dimovska nga Qendra për Arsim Evropian, vlerëson se faktori ndërkombëtar mund të ndihmojë shumë në “ngritjen e zërit kundër politikave përçarëse nga ana e politikëbërësve”. Por, sipas saj, Maqedonia ka deficit të masës kritike, si pasojë e nivelit të ulët arsimor.

“Deficiti demokratik i shtetit ka të bëjë me atë se qytetarët nuk janë në atë nivel të vetëdijshëm për të ndikuar në reformimin e institucioneve shtetërore në atë stad që kërkohet nga vendet demokratike, të cilat janë dhe donatorë të projekteve të ndryshme për OJQ. Pikërisht për këtë dhe një pjesë e madhe e fondeve për këtë qëllim, mbeten të pashfrytëzuara nga Maqedonia”, vlerëson Dimovska.

Por, sipas Arsim Sinanit, nga Akademia Diplomatike në Maqedoni, mbajtja gjithmonë ndezur e fitilit të raporteve ndëretnike, është pasojë e mosndërtimit të shtetit të Maqedonisë përmes interesave të përbashkëta të qytetarëve shqiptarë dhe atyre maqedonas.

“Bashkëpunimi i sektorit civil, më tepër është bashkëpunim i imponuar sesa bashkëpunim me vetëdëshirë. Kjo ka bërë që në Maqedoni të kemi dy realitete, të cilat janë të kundërta njëra me tjetrën dhe secili realitet shpreh vetëm realitetin e etnisë së vet dhe jo realitetin shtetërorë. Konkretisht, në këtë rast, kemi një Maqedoni maqedonase dhe një Maqedoni shqiptare dhe jo një shtet që përfaqëson interesat e të gjithë qytetarëve të saj”, thekson Sinani.

Ndërkaq, sipas analistit Petar Arsovski, përpjekjet e sektorit civil për të krijuar një front të përbashkët që të luftohen dukuritë negative pavarësisht vështirësive të shumta, me të cilat ballafaqohet, flet qartë se brenda tyre ka më shumë elitë intelektuale sesa brenda politikës.

“Të punësuarit në sektorin civil, gjegjësisht aktivistët në OJQ, sipas një rregulli janë më të emancipuar, sepse ata varen nga suksesi, me të cilin do të reflektojnë dhe jo nga bërja e politikës. Kjo lë shpresë se Maqedonia mund të presë një të ardhme më të mirë, nëse ndihmohet ky sektor, me theks të veçantë nga faktori ndërkombëtar, sepse politika nuk është e interesuar për forcimin e saj”, shprehet Arsovski.

Ndryshe, vrasja e dy të rinjve shqiptarë në Gostivar, 26-vjeçarit Besnik Shehapi, dhe 30-vjeçarit Imran Mehmeti, në Gostivar nga polici Joakim Martinovski dhe ajo e Martin Neshkovskit, para gjashtë muajve, po ashtu nga një polic në qendër të Shkupit, ndikoi që Lëvizja Qytetare Kundër Brutalitetit Policor, të tubojë pjesëtarë të bashkësive të ndryshme etnike, për të kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe reformimin e dikasterit të policisë.

Por, protestat vetëm një ditë më vonë vazhduan të ndara nga qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas.
XS
SM
MD
LG