E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 01:05

VOX

Jeta në konvikte, të mirat dhe problemet

Ilustrim
Ilustrim

Studentët e Universitetit të Prishtinës, karshi problemeve të shumta që përmendin, si për shembull banimi në konvikte apo banesa private, thonë se problemi më i madh për ta është financimi i studimeve të tyre.

Për rubrikën VOX të Radios Evropa e Lirë , ata thonë se, po qe se familjet e tyre s’do të kishin të ardhura mesatare, ata nuk do të ishin në gjendje t’i mbaronin studimet-kryesisht në Universitetin e Prishtinës.



Kushtrim Lutfiu nga Vitia, i cili studion në Fakultetin e Edukimit, e quan të vështirë gjendjen e studentëve:

Vështirësitë janë kryesisht në rrafshin e financimit, do të thotë ata që kanë kushte, studiojnë ata që jo - rrinë në shtëpi”. 

Kurse, për Admir Rexhepin nga Ferizaj, i cili studion Gjuhën Angleze, problemi më i madh për studentët që nuk jetojnë në Prishtinë, por që vijnë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, mbetet çështja e banimit.

“Për të qenë student vështirësia më e madhe është banimi. Se nëse një student nuk i ka kushtet është tepër e vështirë për t’u arritur ndonjë sukses. Unë kam aplikuar për të banuar në konvikt, po më kanë refuzuar duke thënë se komuna e Ferizajt është afër dhe nuk i plotëson kushtet për të qenë banor i konvikteve. Unë nuk kam mundur të gjej as banesë private dhe më është dashur të udhëtoj”, tregon Admir Rexhepi.

Janë rreth 3600 studentë, të citet jetojnë në shtatë konvikte të Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Qendra, sipas drejtuesve të saj, ofron strehimin dhe ushqimin, si dhe aktivitete të tjera në hapësirat për lexim e studim, por dhe sport dhe aktivitete tjera.

Për të fituar të drejtën për të qenë banues në konvikte, kandidatët duhet që, së pari, të jenë studentë të Universitetit të Prishtinës. Kusht tjetër është që një student, nuk mund të jetë banor i konviktit nëse ai jeton 30 kilometra afër kryeqytetit.

Përparësi për të banuar në konvikte kanë edhe studentët që kanë notë mesatare të lartë, si dhe disa kategori të tjera të shoqërisë me kushte më të vështira ekonomike.

Halil Kelmendi, nga Peja, student në Fakultetin e Bujqësisë, njëherësh konviktor, thotë se ka zgjedhur të jetojë në konvikt për shkak të çmimit më të ulët që duhet paguar krahasuar me mundësitë e tjera, siç janë banesat private.

“Konvikti është më i lirë edhe mua më duket që jeta është më e mirë në konvikte - jetën studentore e shijon më shumë. Mos të kisha pasur kushte unë nuk do të kisha mundësi të vij këtu ku jam, se unë jam nga Peja. Duhet bërë disa shpenzime për të vazhduar – po s’pate mbetesh në shtëpi. Për shpenzimet e mia kujdeset familja”, thotë Halil Kelmendi.

Kushtrim Mustafa është një student tjetër i Universiteti të Prishtinës. Ai studion në Fakultetin Teknik dhe vjen nga Presheva, por nuk banon në konvikt.

“Më duket që kushtet janë më të mira nëse banon privatisht. Ujë ka non-stop, edhe kur dua hyj brenda, kur dua të dal, dal lirisht nuk më pengon askush. Kurse, këtu në konvikte është e kufizuar koha për t’u kthyer natën”, shprehet Kushtrim Mustafa.

Kurse, Egzona Morina, që studion në Fakultetin Juridik, thotë se ka zgjedhur të jetojë në konvikt kryesisht për çështje të sigurisë:

“Ka kushte shumë të mira për studentët. Siguria është në nivel gjithçka është në rregull, sidomos për femra kushtet janë shumë të mira edhe e ndjen veten shumë mirë se je në jetën studentore. Duke i marrë parasysh edhe kushtet ekonomike, për studentë kushtet janë shumë të favorshme në konvikte sepse është më lirë”.

Por, ka edhe nga ata banues, të cilët nuk janë shumë të kënaqur me kushtet që ofron Qendra Studentore për banim.

Rajmonda Halitaj nga Kijeva, që ka disa vjet që banon në konvikt, thotë:
 
“Kushtet janë të mira, por jo shumë, më mirë të them edhe janë edhe nuk janë”.

Kurse, Zamira Koprani nga Malisheva, thotë të jetë e kënaqur me kushtet në konvikt. Ajo thotë se për një studente të re, e cila vjen nga një komunë tjetër, si vështirësi mund t’i paraqitet adaptimi dhe gjeturia në kryeqytet.

“Ka shumë që janë të ardhur nga vendet e ndryshme edhe të gjithë e dimë që Prishtina është më ndryshe, krahasuar me komunat e tjera. Dhe, derisa të adaptohet, unë mendoj që ajo është pak më problem. Por, të gjithë ne jemi këtu për një qellim - e ai është mësimi edhe normalisht që të gjitha këto duhet të tejkalohen”, thekson Zamira Koprani.

Kurse, Vjollca Rexhepi shprehet e kënaqur me kushtet në konvikt dhe thotë se është e suksesshme në studime:

“Unë ka tri vjet që jam këtu në Prishtinë, studioj për arkitekturë. E kam zgjedhur konviktin se mendoj që mësohet më shumë sesa diku tjetër”.
 
Në shumë prej konvikteve tash e një kohe ekzistojnë dhe sallat e leximit dhe bibliotekat. Kjo është edhe një prej arsyeve që Dren Imeri nga Istogu, ka zgjedhur të jetojë në konvikt gjatë studimeve.

“Në konvikt kushtet janë më të mira për të mësuar. Aty janë edhe bibliotekat”, thotë Dren Imeri.

Ndërkaq, lidhur me kushtet në konvikte, drejtoi i Qendrës së Studentëve të UP-së, Fatmir Sfishta, thotë:

“Ende jemi larg perfeksionit, mirëpo trendi i shërbimeve në Qendrën e Studentëve dita-ditës po shënon rritje dhe po ngrihet në masën pozitive”.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum