Ndërlidhjet

NYT: Pse bilinguistët janë më të zgjuar?


Ilustrim
Ilustrim
“ New York Times”


Të flasësh dy gjuhë do të thotë të kesh përfitime të dukshme në një botë gjithnjë e më të globalizuar. Por, në vitet e fundit, shkencëtarët kanë nisur të dëshmojnë se shkathtësitë e dygjuhësisë janë edhe më shumë se mundësi për të qenë në gjendje për të komunikuar me një gamë më të gjerë njerëzish.

Të jesh bilingusit, të bën më të zgjuar. Një gjë e tillë mund të ketë efekte më të gjera në trurin tuaj dhe madje të mbrojë nga sëmundjet e trurit në moshën e vjetër.

Kjo pikëpamje e dygjuhësisë është ndryshe nga të kuptuarit e kësaj dukurie në pjesën më të madhe të shekullit 20. Hulumtuesit, edukatorët dhe politikë-bërësit, për kohë të gjatë, e kanë konsideruar gjuhën e dytë si një ndërhyrje që ka penguar zhvillimin akademik dhe intelektual të fëmijës.

Megjithatë, ata nuk kanë gabuar në lidhje me ndërhyrjen: ka fakte të bollshme se në trurin e një bilinguisti janë aktive të dyja sistemet gjuhësore, edhe atëherë kur ai përdor vetëm një gjuhë, duke krijuar kështu situata, në të cilat njëri sistem pengon tjetrin.

Por, kjo ndërhyrje, sipas gjetjeve të hulumtuesve, nuk është një hendikep shumë i madh. Ajo detyron trurin për të zgjidhur konfliktin e brendshëm, duke i ofruar mendjes një stërvitje që forcon muskujt e saj të njohjes.

Bilinguistët, për shembull, duket të jenë më të aftë se ata që flasin vetëm një gjuhë në zgjidhjen e llojeve të caktuara të mozaikëve mendorë. Në një studim të vitit 2004, të kryer nga psikologët Ellen Biallistok dhe Mishell Martin Re, dy palëve u është kërkuar të klasifikojnë rrathët blu dhe katrorët e kuq, të paraqitur në një ekran kompjuteri në dy enë digjitale.

Në detyrën e parë, fëmijët është dashur të klasifikojnë format nga ngjyra, duke i vënë rrathët blu në enën e shënuar me katrorin blu dhe katrorët e kuq në enën e shënuar me rrethin e kuq. Të dyja grupet, këtë e kanë bërë me lehtësi të krahasueshme.

Në detyrën e ardhshme, fëmijët është dashur t’i klasifikojnë ato për nga forma, çfarë ka qenë më sfiduese, sepse kërkohej vendosja e imazheve në enën me ngjyrë të kundërt. Bilinguistët kanë qenë më të shpejtë në kryerjen e kësaj detyre.

Pra, provat e mbledhura nga një numër studimesh të tilla sugjerojnë se përvoja e dygjuhësisë përmirëson funksionin e ashtuquajtur ekzekutiv të trurit - një sistem komandë që drejton proceset e vëmendjes, të cilat i përdorim për planifikim, zgjidhjen e problemeve dhe kryerjen e detyrave të ndryshme.

“Bilinguistët kalojnë nga njëra gjuhë në tjetrën shumë shpejt, ata mund të flasin me babanë në një gjuhë dhe me nënën në një tjetër gjuhë”, thotë Albert Kosta, hulumtues në Universitetin Pompea Fabra në Spanjë.

Në një studim që krahason bilinguistët gjermano-italianë me monolinguistët italianë në kryerjen e detyrave, Kosta dhe kolegët e tij kanë gjetur se ata që flasin dy gjuhë, jo vetëm që i kryejnë ato më mirë, por i bëjnë me më pak aktivitet në disa pjesë të trurit, çfarë tregon se janë më efikas.

Përvoja e dygjuhësisë duket se ndikon në tru nga fëmijëria deri në moshën e vjetër.

Në vitin 2009, në një studim të udhëhequr nga Agnes Kovaç, nga Shkolla Ndërkombëtare për Studime të Avancuara në Trisete të Italisë, foshnjat shtatëmuajshe, që u janë ekspozuar dy gjuhëve që nga lindja, janë krahasuar me moshatarët e rritur me vetëm një gjuhë.

Gjatë eksperimentit, foshnjave fillimisht u është shfaqur një sinjal me zë dhe pastaj një kukull në njërën anë të ekranit. Më pas të dyja grupet kanë shikuar në atë anë të ekranit në pritje të kukullës. Por, kur kukulla është shfaqur në anën e kundërt, foshnjat e mjedisit dygjuhësor kanë kthyer menjëherë kokën në atë anë, ndërsa foshnjat e tjera nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Efektet e dygjuhësisë shtrihen edhe te moshat e vjetra. Shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë, të udhëhequr nga neuro-psikologu Tamar Gollan, kanë gjetur se individët me një shkallë të lartë të dygjuhësisë janë më rezistentë se të tjerët ndaj sklerozës ose alzheimerit. (v.t.)
XS
SM
MD
LG