Ndërlidhjet

Nikolliq e Vuçiq në Mitrovicë


Mitrovicë - foto nga arkivi
Mitrovicë - foto nga arkivi

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës mbetet e tensionuar, ndonëse gjatë orëve të fundit nuk është shënuar ndonjë incident, i cili do ta rrezikonte sigurinë e përgjithshme, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se Policia e Kosovës po vazhdon që me burimet e saj njerëzore të ofrojë siguri për qytetarët në mjediset ku jeton popullata e përzier.

Sa i përket situatës së sigurisë – ne i referohemi incidenteve, të cilat kishin për të ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë e përgjithshme, të tilla ne nuk kemi pasur gjatë orëve të mbrëmjes, edhe përkundër faktit se situata konsiderohet mjaft e rëndë për kah aspekti i ndjenjës së sigurisë, e veçanërisht për banorët në zonat e banuara me popullatë të përzier, pas incidentit të mëngjesit të së dielës, që ndodhi në zonën e ‘Tre rrokaqiejve’. Policia e Kosovës vazhdon që me ato burime njerëzore që i ka vendosur në pika statike, të ofrojë një siguri dhe bashkëpunim me qytetarët, për të parandaluar incidentet e mundshme të natyrës së ngjashme, në të ardhmen”, u shpreh Hoti.

Ndryshe, në veriun e Mitrovicës për sot është paralajmëruar mbajtja e një tubimi parazgjedhor nga Partia Përparimtare e Serbisë, si dhe pjesëmarrja në këtë tubim e krerëve të kësaj partie, Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandër Vuçiq.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se deri më tash, Nikoliq dhe Vuçiq, nuk kanë bërë kërkesë për ta vizituar Kosovën, por ata nuk e përjashtojnë mundësinë që këta të dy në Kosovë kanë mundur të hyjnë në cilësinë e qytetarëve, për vizitë të thjeshtë.

Këtë e pohoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Policia e Kosovës ka informacion jozyrtar për ardhjen e tyre (krerët e PPS-së) në Kosovë. Mirëpo, të njëjtit, mund të hyjnë në Kosovë në cilësinë e qytetarëve, duke iu nënshtruar procedurave kufitare”.

Por, udhëheqësi i serbëve në veriun e Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, thotë se kreu i Partisë përparimtare serbe e vizitojnë veriun e Mitrovicës me qëllim që në tubimin parazgjedhor t’iu drejtohen qytetarëve të Mitrovicës.

Sot në Mitrovicë mbahet mitingu parazgjedhor i Partisë Përparimtare Serbe. Kështu që zoti Nikoliq dhe kreu i kësaj partie do të jenë në Mitrovicë dhe do t’iu drejtohen qytetarëve të Mitrovicës dhe komunave në rrethinë, në kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet, të cilat janë planifikuar të mbahen më 6 maj të këtij viti”, tha Pantiq.

Ndryshe, Serbia ka shpallur zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale për 6 maj.

Tomislav Nikoliq, është kandidat për kryetar të Serbisë.

Për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, pas kritikave ndërkombëtare, Serbia ka sinjalizuar se do të heqë dorë, por nuk dihet nëse një gjë të tillë do ta bëjë edhe për zgjedhjet tjera, për mbajtjen e të cilave thirret në parimin e dyshtetësisë.
XS
SM
MD
LG