Ndërlidhjet

Koreja Veriore e pranoi dështimin



Koreja Veriore e ka pranuar se lansimi i raketës së saj ka dështuar.

Mediat shtetërore njoftuan se sateliti kishte dështuar të hynte në orbitë.

Republika Demokratike Popullore e Koresë e ka lansuar satelitin e saj të parë aplikativ në orën 7:38, në mëngjes të premten. Sateliti tokësor vëzhgues dështoi të hynte në orbitë. Shkencëtarët, tenikët dhe ekspertët po i analizojnë shkaqet e dështimit”, dëgjohej zëri i spikeres verikoreane në media.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë Jugore thanë se fluturimi i raketës përfundoi shpejt pas lansimit, derisa shkalla e parë kishte rënë në det, 165 kilometra në perëndim të Seulit, kështu që shkalla dy dhe tre dështuan.

Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar lansimin e raketës së Koresë Veriore.

Liderët e G-8-tës thanë se lansimi paraqet shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavror, tha se komuniteti ndërkombëtar i kishte bërë thirrje Koresë Veriore që të mos e ndërmerrë lansimin e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe “ky është pozicioni i të gjithë pjesëmarrësve në negociatat gjashtë palëshe”.

Në negociatat gjashtë-palëshe, që synojnë uljen e tensioneve lidhur me programin atomik dhe raketor të Phenianit, janë të përfshira Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe të dy Koretë.

Japonia ka vlerësuar se lansimi i raketës ishte i papranueshëm.

Në këtë kuadër, kryeministri Joshikiho Noda, tha:

Lanismi i sotëm është diçka që vendi ynë nuk mund ta pranojë. Ne protestojmë ashpër kundër Koresë Veiore dhe rrjedhimisht shprehim zemërimin tonë. Sipas rezolutës që kaloi dje, Qeveria e Japonisë do të kërkojë nga Koreja Veriore që t’i respektojë të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe fuqishëm kërkon që Koreja Veriore të na e tregojë planin e detajuar të progresit dhe aktin për zgjidhjen e çështjeve atomike dhe raketore”, tha kryeministri Joshihiko Noda në Parlamentin e Japonisë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së bardhë, Xhej Karni, tha se lansimi i raketës tregon se “Koreja Veriore edhe mëtutje po e izolon vetveten duke u angazhuar në akte provokuese dhe po shpenzon para në armatim dhe propagandë derisa populli i Koresë Veriore ka uri”.

Shtetet e Bashkuara, Koreja Jugore dhe vendet e tjera, vlerësojnë se lansimi është fshehje për testin e teknologjisë raketore. (f. b.)
XS
SM
MD
LG