Ndërlidhjet

Thirrje për më shumë njohje



Kosova i thërret pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë si shtet, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Një apel i tillë të premten është adresuar jo vetëm nga diplomacia kosovare, por edhe nga konferenca ndërkombëtare “Kosova Thërret” e mbajtur në Prishtinë.

Përveç thirrjeve drejtuar Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros dhe Greqisë, si njohje të rëndësishme paraqiten edhe ato nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën nuk paraqesin një bllok politik kundër pavarësisë së Kosovës, ngase secila prej tyre i ka arsyet e brendshme politike që kanë ndikuar në mosnjohje.

Kurse për Serbinë, Hoxhaj tha se ajo po luan një politikë dyfytyrëshe karshi Kosovës dhe BE-së.
Enver Hoxhaj
Enver Hoxhaj
Serbia nuk mundet paradite të ketë sjellje evropiane e pasdite në Mitrovicë të ketë sjellje anti-evropiane. Fati i Serbisë është brenda kufijve të saj dhe jo jashtë kufijve të saj. Nuk mundet një vend që aspiron për në BE, ta definon interesin nacional në kuptimin territorial sikurse të ishim ne në vitin 1991 apo ‘92”, është shprehur Hoxhaj.

Në debat është përfshi edhe ambasadori britanik, Jan Klif i cili tha se popujt e rajonit dhe BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë këtë një ditë.

Ai është pajtuar me ministrin Hoxhaj se ato nuk janë një bllok shtetesh kundër Kosovës, por njëherësh nuk ka parashikuar njohje të shpejta nga këto vende.

Njohjet nuk do të ndodhin së shpejti, do ta thosha për të shtatë këto shtete”, tha ambasadori Jan Klif.

Megjithatë ai ka premtuar ndihmën britanike për lobim dhe njohje të Kosovës nga këto shtete.

Ndërkohë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se ai nuk mund të premtonte angazhim për njohje, sepse këtë nuk ia lejon mandati i tij, por vlerësoi se studimi i fizibilitetit për të cilin janë pajtuar jo 22 por 27 vendet anëtare të BE-së do të jetë një proces tjetër me rëndësi për Kosovën.
Është interesi ynë që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe ky është qëllimi i fundit për të cilin pajtohen të gjitha vendet anëtare të BE-së pa dallim.
Është interesi ynë që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe ky është qëllimi i fundit për të cilin pajtohen të gjitha vendet anëtare të BE-së pa dallim”, tha Zhbogar.

Ministrja për integrim në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku tha se Kosova tash e katër vjet po ballafaqohet me enigmën e madhe se përse nuk ka konsensus brenda BE-së për shtetin më të ri në Evropë, dhe përse këto pesë vendet nuk i përkrahin demokracitë më të përparuara perëndimore të cilat tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës.

E vërteta është se secili nga këto shtete është i veçantë dhe i kanë arsyet e veta, shpesh të politikës së brendshme dhe për secilin duhet të kemi një qasje të veçantë sepse nuk janë një grup i përbashkët të themi nën thonjëza anti-kosovar, për interesa specifike apo të përbashkëta”,tha ministrja Çitaku.

Kjo konferencë është organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Këshilli Britanik.

Aty është prezantuar dhe libri “Kosova Thërret”, ku janë spikatur të gjitha karakteristikat në lidhje me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ky libër parashihet të jetë një udhërrëfyes diplomatik për qëndrimin e këtyre shteteve.
XS
SM
MD
LG