Ndërlidhjet

Integrimi në NATO, çështje politike


Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përderisa vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke avancuar në procesin e integrimit euro-atlantik, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka filluar negociatat për nënshkrimin e partneriteti për Paqe.

Kështu deklaruan përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe njohësit e çështjeve të sigurisë në një debat të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën "Rruga e Kosovës drejt Programit të NATO-s: Partneriteti për Paqe".

Po ashtu, në këtë debat u tha se Kosova për t’u bërë pjesë e proceseve Euro-atlantike, para vetes ka shumë sfida.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, tha se të gjitha institucionet e vendit duhet të jenë me serioze sa i takon çështjes së integrimit në NATO.

“Mendoj se duhet ta mbajmë shumë më lart, si prioritet, integrimin në NATO. Të bëjmë më shumë në ngritjen e strukturave që kanë të bëjnë me integrimin, ngritjen e kapaciteteve të këtyre strukturave që kanë të bëjnë me integrim dhe të jemi më artikulues të kërkesës sonë për integrim në NATO”, deklaroi Çeku.

Ministri Çeku tha së Kosova duhet t’i ketë të qarta kushtet, të cilat duhet t’i plotësojë në drejtim të anëtarësimit në NATO. Sipas tij, në këtë drejtim, një nga kushtet themelore është formimi i forcave ushtarake.
Tash, më shumë është çështje politike e një konsensusi të brendshëm të NATO-s.

“Pa forca ushtarake, pa ushtri nuk ka kuptim as anëtarësimi në NATO. Ne jemi në këtë proces të rishikimit të FSK-së. Ky proces ka filluar".

"Në vitin e ardhshëm ne do të kemi rekomandime se çka duhet të ketë Kosova, duhet të kemi pak durim. Shumë kushte, që NATO u kërkon vendeve që aspirojnë atë, Kosova i ka përfunduar. Tash, më shumë është çështje politike e një konsensusi të brendshëm të NATO-s”
, bëri të ditur Çeku.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë që ishin edhe organizatorë të debatit, kritikuan institucionet e vendit se nuk po bëjnë sa duhet në drejtim të integrimit të vendit në BE dhe në NATO.

Florian Qehaja, drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë tha se institucionet e vendit duhet t’i rrisin përpjekjet për arritjen e këtyre qëllimeve.

“Ka mungesë të theksuar të kapaciteteve kadrovike, të mos flas për ato teknike, në kuadër të institucioneve. Kjo reflekton një lloj të mungesës së vetëdijes së përgjithshme, sidomos nga ana e politikë- bërësve, prej nivelit të lartë e deri në nivelin e ulët, lidhur me implementimin e vizionit strategjik. Vizioni i qytetarëve është integrimi në BE dhe në NATO. Mirëpo, këtu nuk ka një vetëdije se si të implementohet ky vizion”, u shpreh Qehaja.

Pjesëtarë të FSK-së...
Pjesëtarë të FSK-së...
Kurse, njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramë Arifaj, vlerësoi së Forca e Sigurisë së Kosovës është një shembulli i mirë edhe për vendet në rajon, prandaj, tha ai, Kosova e meriton të jetë në NATO.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht ushtria e Kosovës mund t’ju shërbejë shumë vendeve në rajon si një shembull pozitiv dhe mund të jetë shembull edhe për ushtritë, të cilat janë në NATO".

"Sot jemi dëshmitarë që Forca e Sigurisë së Kosovës është pjesëmarrëse aktive e shumë ngjarjeve në rajon, është duke ndihmuar jo vetëm Kosovën në ndërtimin e saj, por edhe në punët e tjera në raste të emergjencave, e në rastet të tjera. Me një fjalë, mund të themi se FSK-ja i plotëson të gjitha kushtet që të jetë anëtare e NATO-s”
, vlerësoi Arifaj.

Sido që të jetë, përfaqësuesit e NATO-s në Kosovë deklaruan se “debati në NATO po zgjerohet me qëllim që të ketë një kujdes të shtuar për këtë proces karshi Kosovës”, dhe se, sipas tyre, ky proces për integrimin e Kosovës në NATO, po ndihmohet duke dërguar analiza për situatën në përgjithësi.
XS
SM
MD
LG