Ndërlidhjet

Maqedoni: Pushteti përgjegjës për tensionet?


Qeveria e Maqedonisë.
Qeveria e Maqedonisë.
Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni mbeten të tensionuara pas vrasjes së pesë maqedonasve në Smilkovcë të Shkupit.

Sipas analistëve politikë, kësaj i kanë kontribuar edhe prononcimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, të cilat shpallën fajtorë për vrasjen, të arrestuarit gjatë aksionit policor, por ndërkohë shumica e tyre u lanë të lirë në mungesë provash.

Analisti Albert Musliu thotë se dalja me vlerësime para se të nisë procesi gjyqësor për rastin dhe fajësimi për këtë i një kolektiviteti të tërë, padyshim se nxit tensione dhe reagime, siç është rasti me protestat e dy bashkësive etnike.

“Për momentin ato janë të tensionuara dhe si refleksion i asaj, kemi edhe protestat. Mos të harrojnë se sërish këto janë iniciuar nga një deklaratë e pamatur e ministres së Punëve të Brendshme lidhur me kolektivizimin e fajësimit lidhur me vrasjen pasi unë nuk kam parë as te protestuesit, e as te ndonjë person publik shqiptar, i cili është kundër gjykimit të fajtorëve”, thotë Albert Musliu.

Vllado Dimovski nga Qendra për Marrëdhënie Ndëretnike thotë se tensionet janë të pranishme, por në gjithë këtë situatë të ndërlikuar, ai sheh edhe përzierjen e politikës apo atë që nga situata e krijuar, dikush tenton të përfitojë politikisht.
Ky është vit parazgjedhor dhe normalisht se tani mblidhen pikë politike edhe përmes protestave të këtilla që po organizohen.

“Ky është vit parazgjedhor dhe normalisht se tani mblidhen pikë politike edhe përmes protestave të këtilla që po organizohen. Këto nuk janë protestat që do të mund të bënin ndryshime të mëdha”, shprehet Dimovski, duke aluduar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për pushtetin lokal.

Nga ana tjetër, Vllado Popovski, njohës i raporteve ndëretnike, nuk përjashton mundësinë që pas zhvillimeve të këtilla të qëndrojnë struktura të caktuara, të cilat nuk dëshirojnë paqe ndëretnike në vend.
...është e qartë se ka grupe të caktuara, të cilat situatat e këtilla i shfrytëzojnë në kuptimin e mbajtjes së tensioneve.
“Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të brishta, delikate - kjo para së gjithash për shkak të shumë zhvillimeve që kanë ndodhur në vend dhe është e qartë se ka grupe të caktuara, të cilat situatat e këtilla i shfrytëzojnë në kuptimin e mbajtjes së tensioneve. Andaj, vlerësoj se në rrethana të këtilla institucionet duhet të veprojnë me kujdes”, vlerëson Popovski.

Nga ana tjetër, edhe Albert Musliu thotë se gjithçka varet nga institucionet, nëse ato sillen me përgjegjësi, edhe tensionet mund të ulen.

“Nëse institucionet vazhdojnë me sjelljen jokorrekte sigurisht se protestat mund të vazhdojnë, por nëse institucionet e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet në mënyrë transparente, korrekte, mendoj se edhe tensionet do të ulen”, konsideron Musliu.

E, ndërkohë, thirrje për qetësi kanë bërë edhe institucionet dhe për dallim nga një javë më parë, tani edhe kryeministri dhe ministrja e Brendshme u treguan më të përmbajtur në prononcimet e tyre duke thënë se nuk duhet prejudikuar, por rasti duhet t’u lihet organeve gjyqësore.

Situata e krijuar me vrasjen dhe më pas me protestat, po ndiqet me vëmendje edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar, të cilët kërkojnë proces transparent gjyqësor dhe përmbajtje nga palët.
XS
SM
MD
LG