Ndërlidhjet

Komunitetet e diskriminuara!


Mitrovicë - foto nga arkivi.
Mitrovicë - foto nga arkivi.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë janë të diskriminuar në aspektin social dhe ekonomik, thonë përfaqësues të këtyre komuniteteve dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ata tregojnë se këtyre komuniteteve në Kosovë iu shkelen të drejtat thelbësore.

Ndërkaq, shumë prej tyre, thonë ata, jetojnë në kushte të vështira ekonomike, në pamundësi që të gjejnë punë.

Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë kategoria më e diskriminuar në Kosovë.

“Pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë të diskriminuar, jo në kuptimin e sigurisë apo të lëvizjes së lirë, por për moskrijimin e kushteve për integrim socio-ekonomik”, thotë Shala.

Për këtë gjendje jo të mirë të komiteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Shala fajëson institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Sipas tij, këto dy të fundit janë fajtore për gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale të këtyre komuniteteve.

Shala thotë se shumica e këtyre qytetarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, që jetojnë në Kosovë, janë të papunësuar.
Adresimin për gjendjen e vështirë të këtyre komuniteteve duhet ta ndajnë institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

“Nuk e shoh ndonjë mundësi që në një të ardhme të afërt të përmirësohet kjo gjendje e tyre. Adresimin për gjendjen e vështirë të këtyre komuniteteve duhet ta ndajnë institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, vlerëson Shala.

Një konkludimi për diskriminim të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian ka nxjerrë së fundi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Në këtë konkludim thuhet se pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë subjekt i diskriminimit social dhe ekonomik dhe shpesh nuk kanë pasur qasje në higjienën bazike, në kujdesin mjekësor dhe në arsim.

Bekim Syla, nga organizata joqeveritare e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, thotë se kjo kategori e shoqërisë është e lënë pas dore. Sipas tij, këto komunitete, në Kosovë, diskriminohen në mënyrën më të keqe të mundshme.

Syla thekson se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, jetojnë në kushte tejet të vështira ekonomike, ngase, siç thotë Syla, nuk mund të punësohen për shkak të nivelit të ulët të arsimimit.
Kushtet e vështira, në të cilat jetojmë, tregojnë shumë mirë se sa të diskriminuar jemi.

“Shumica e familjeve rome, ashkalie dhe egjiptiane, jetojnë me asistencë sociale, por kjo asistencë çdo ditë e më shumë nuk po i jepet këtyre familjeve për shkak të kritereve - ato kritere na diskriminojnë. Kushtet e vështira, në të cilat jetojmë, tregojnë shumë mirë se sa të diskriminuar jemi”, thekson Syla.

Ndryshe nga zoti Syla mendon Nexhip Menekshe, nga Qendra për Integrimin e Komuniteteve Etnike. Ai thotë se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, nuk janë të diskriminuar. Kushtet e rënda ekonomike dhe sociale, thotë ai, janë të njëjta si për shumicën e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

“Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nuk janë të diskriminuar në aspektin ekonomik dhe social. Ne nuk jemi në tregun e punës ashtu siç nuk janë edhe qytetarët tjerë. Papunësia është e njëjtë si te qytetarët tjerë të Kosovës, ashtu edhe te komunitetet RAE”, shprehet Menekshe.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, njihen zyrtarisht si komunitet i veçantë në Kosovë, dhe sipas Kushtetutës, gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Në Kosovë llogariten se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptianë.

Qeveria e Kosovës ka hartuar strategjinë për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në dhjetor të vitit 2008, ndërsa plani i veprimit për realizimin e kësaj strategjie gjatë viteve 2009-2015, u miratua në dhjetor të vitit 2009.
XS
SM
MD
LG