Ndërlidhjet

Në tregun e Kosovës, produkte me afat të skaduar


Ilustrim
Ilustrim
Në tregun e Kosovës ka produkte me afat të skaduar, por edhe produkte të cilat kanë afat e që janë të papërdorshme, vlerësojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Produktet të cilat cilësohen të papërdorshme, sipas tyre, mbahen në kushte të pastandardizuara, dhe në këtë mënyrë, siç thonë ata, rrezikohet shëndeti i konsumatorit.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për Radion Evropa e Lirë se produktet ushqimore me afat të skaduar dhe të dyshimta, janë të pranishme në tregun e Kosovës dhe po e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Për fat të keq, tregtarët për të kursyer energjinë elektrike, zakonisht natën shkyçin frigoriferët dhe në ato momente shfaqen ngrirjet dhe shkrirjet e produkteve, me ç’rast e përshpejtojnë skadencën e artikujve ushqimore”.

Konsumatorët duhet të jenë të vëmendshëm që mishrat të ashtuquajtur të ‘freskë në të ngrirë’, që janë të kapluar nga akulli dhe nga bora, mos t’i blejnë, për shkak se në ato mishra vetëm ka filluar procesi i dekompozimit, dhe ato mishra nuk janë për konsum”, thekson Kaçaniku.

Inspektimi i tregut të Kosovës, sipas Kaçanikut, nuk është në nivelin e duhur.

Ai thotë se Kosovë duhet të punojë në përmirësimin e gjendjes aktuale si dhe harmonizimin e ligjit aktual me direktivat e Bashkimit Evropian për konsumatorin

Inspektorati në përgjithësi në Kosovë nuk është i motivuar ashtu si duhet profesionalisht, teknikisht dhe financiarisht. Një inspektorat i tillë nuk është në gjendje ta kryejë funksionin për çka janë themeluar dhe për çfarë ne si taksapagues i paguajmë dhe mendojmë se i kemi”, thotë Kaçaniku.

Ndryshe, në Kosovë që nga viti 2010, është hartuar programi për mbrojtjen e konsumatorit nga Qeveria e Kosovës dhe, sipas autoriteteve në Kosovë, ky program ka filluar të zbatohet.

Zëdhënësja në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë Arta Istrefi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka krijuar të gjitha mekanizmat për mbrojtjen e konsumatorëve.

Inspektorati i tregut në bashkëpunim në Agjencinë e Veterinarisë dhe Ushqimit gjatë gjithë kohës dalin nëpër treg për ta parë nëse ka produkte me afat të skaduar. Të gjitha produktet të cilat gjenden më afat të skaduar asgjësohen, dhe tregtarët të cilët kanë pasur produkte të tilla dënohen”, thekson Istrefi.

Shqetësuese në Kosovë, sipas Istrefit, mbetet vetëdija e ulët e qytetarëve për të paraqitur raste kur ata kanë hasur në produkte me afat të skaduar dhe të papërdorshme.

Rastet të cilat janë lajmëruar në zyrën për mbrojtjen e konsumatorit, thekson Istrefi, zakonisht kanë përfunduar çdo herë në favor të klientit.

Fatkeqësisht mund të them që vetëdija e qytetarëve është shumë e ulët për t’u ankuar në zyrën adekuate për këtë çështje. Jo që këto lëndë nuk zgjidhen, por qytetarët e Kosovës ende nuk e kanë guximin për të treguar për padrejtësitë që iu bëhen në treg”, thekson ajo.

Ligji për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë është miratuar në vitin 2004.

Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave, shërbimeve dhe formave të tjera në tregun e lirë. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.
XS
SM
MD
LG