Ndërlidhjet

Vihet në dyshim "Kosova e Re"


Kosova A
Kosova A
Vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri, me të cilin do të përmirësohej gjendja energjetike në Kosovë, ishte marrë në vitin 2005, periudhë kjo kur edhe kanë filluar përgatitjet.

Mirëpo, puna për realizimin e këtij projekti, është neglizhuar vit pas viti. Projekti i termocentralit të ri i quajtur “Kosova e Re” së fundi nga Komiteti Drejtues për Privatizim, ka pësuar ndryshme, duke u bërë ndarja e termocentralit “Kosova B” nga pakoja tenderuese e projektit “Kosova e Re”.

Kjo ndarje, sipas autoriteteve kosovare, synon të rrisë nivelin e konkurrencës përmes hapjes dhe involvimit të numrit më të madh të akterëve pjesëmarrës në tregun vendor të energjisë, i cili do të konsistojë edhe me tarifa më të favorshme për qytetarët.

Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur është hartuar strategjia për realizimin e këtij projekti, konsideron se ky projekt ka pësuar ndryshime aq të mëdha, sa realisht, sipas tij, paraqet sfidë mbijetesa e këtij projekti dhe inkuadrimi i investitorëve të huaj në këtë projekt.

“Me këto lëvizje të shpeshta kam frikë që përfundimisht projekti ‘Kosova e Re’, ka vdekur. Po ashtu kemi një problem të madh në shoqërinë tonë, sepse nuk është ndërtuar një konsensus për këto projekte dhe lëvizjet politike që ndodhin, sado të vogla e dëmtojnë imazhin dhe sigurinë e investitorëve në Kosovë”, thotë Çeku.

Që nga fillimi kur është bërë futja e termocentralit “Kosova B” në pakon tenderuese të termocentralit “Kosova e re”, sipas Çekut, ka qenë një vendim i gabuar. Ai thekson se në atë kohë kishin reaguar pasi që, siç e quan Çeku, ka qenë një vendim i pajustifikueshëm në aspektin profesional, ekonomik, social dhe të konkurrencës.

Përfshirja e “Kosovës B” në pakon e njëjtë tenderuese për “Kosovën e Re” ka qenë në kundërshtim edhe me interesat e shoqërisë kosovare dhe me ligjet në fuqi, meqë do të krijonte një monopol duke i garantuar një kompanie të vetme përmbi 97 për qind të tregut të gjenerimit të energjisë.

Nazim Haliti, nga Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Energji thotë se kanë mirëpritur vendimin e Komitetit Drejtues për Privatizim për heqjen e “Kosovës B” nga pakoja tenderuese me“Kosovën e Re".

“Kjo, në përgjithësi, e pamundëson krijimin e monopolit, investitorit të ardhshëm që do ta privatizonte potencialin energjetik në Kosovë. Mbetet të shihet se sa do të jetë konsistente Qeveria në këtë drejtim, duke pasur parasysh që vazhdimisht kemi pasur vonesa dhe ndryshime të politikave, ndryshime të qëndrimeve të Qeverisë dhe ministrisë, konkretisht në raport me Bankën Botërore. Prandaj mbetet për t’u parë në realitet kjo”, shprehet Haliti.

Ndërkohë, sipas Ethem Çekut, duhet të rishqyrtohet tërësisht pakoja tenderuese e projektit “Kosova e re”, si dhe, siç thotë ai, të kthehet në konceptet që të ketë një projekt të modifikuar, një projekt që është i kapshëm për ekonominë e Kosovës dhe investitorët e jashtëm.

“Mendoj që duhet të bëhet rishikimi i plotë i pakos tenderuese. Duhet të rishqyrtohen edhe ofertuesit në pakon tenderuese. Tani jemi në një fazë mjaft të vështirë dhe pa rrugëdalje të hyrjes së investitorëve të huaj në sektorin e energjisë elektrike”, thekson Çeku.

Gjatë këtij viti pritet të shpallet kompanie fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Aktualisht, në garë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, janë katër konsorciume ndërkombëtare, për të cilat thuhet se i kanë përmbushur kriteret për realizimin e projektit.
XS
SM
MD
LG