Ndërlidhjet

KDI: Mekanizmat anti-korrupsion, burim i korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim
Institucionet përgjegjëse për luftimin e korrupsionit, jo që po luftojnë këtë dukuri, por përkundrazi janë bërë burim i korrupsionit dhe keqmenaxhimit të parasë publike.

Kështu konstaton Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova, në raportin gjashtëmujor, ku përfshihet puna e institucioneve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv në këtë organizatë, thotë se krijimi i super-mekanizmave për luftë kundër korrupsionit, si Agjencia Kundër Korrupsion, Task-Forca dhe së fundi Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, vlerësohet se nuk janë asgjë më shumë vetëm se barrë për buxhetin e Kosovës dhe shpenzim i keq i parasë publike.

“Kosova edhe në këtë gjashtëmujor vazhdon të përballet me mungesë të vullnetit politik dhe mungesë të vullnetit të përkushtimit në luftën kundër korrupsionit. Dhe, motoja zero tolerancë, që kryeministri e ka promovuar me vite të tëra, më lehtë mund të jetë zero vullnet, zero angazhim dhe zero efikasitet në luftë kundër korrupsionit”, thotë Kryeziu.

Në këtë raport, po ashtu, thuhet se prej muajit janar e deri më tani, prej 205 vendimesh sa ka marrë ekzekutivi i vendit, vetëm dy vendime kanë qenë anti- korrupsion. Ndërkaq, as roli i Kuvendit nuk ka qenë mbresëlënës kur bëhet fjalë për mënyrën e trajtimit të raporteve të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit nuk ka treguar efikasitet, kur bëhet fjalë për reagim ndaj zyrtarëve të lartë, pasuria e të cilëve për një periudhë të shkurtër është shumëfishuar.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni, thotë se në këtë listë prin kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pastaj deputetë të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Së pari është kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, pastaj Adem Grabovci, Xhavit Haliti, Lutfi Haziri, Besim Beqaj, Skënder Hyseni, Shaip Muja, Bujar Bukoshi dhe Ramiz Lladrovci”.

“Pra, këta janë zyrtarët, për të cilët ne kemi vërejtur që kanë një dallim shumë të madh të pasurisë në raport me të hyrat që kanë. Pasuria e tyre nuk përputhet me pagat që i marrin apo të hyrat që i kanë - pra dallon në mënyrë enorme, ndërsa nuk ka një reagim nga ana e agjencisë”, thekson Mustafa.

Por, Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, e konsideron paushall, pa u vlerësuar në fakte, raportin e KDI-së.

Ai thotë se agjencia tashmë është faza e trajtimit të formularëve.

“Është shumë herët të konstatohet ose të pritet që të dalim me ndonjë rast konkret. Të gjithë këta janë në fazën e hetimeve. Të gjitha ato raste ku gjejmë elemente që nuk përkojnë me ligjin, ne do t’i trajtojmë dhe do t’i dërgojmë në prokuroritë kompetente”, sqaron Preteni.

Ndryshe, sipas raportit të KDI-së, prokurimi publik mbetet sektori më i korruptuar në vend.

“Shkelja e Ligjit për Prokurimin Publik po përcillet nga institucione të caktuara dhe me mungesë të hapësirës për transparencë, duke i pamundësuar opinionit të gjerë të kenë qasje të informatave rreth mënyrave të shpenzimit të taksave të qytetarëve”.

“Keqpërdorimet e raportuara nga shumë institucione, mungesa e transparencës dhe mungesa e organizimit të arkivave të tenderëve në këtë sektor, janë duke rrezikuar llogaridhënien ndaj publikut për miliona euro në këtë sektor”,
shton Mustafa.

Gjithashtu, ky sektor, thuhet në raport, vazhdon të përcillet edhe me probleme të tjera, siç është mungesa e pavarësisë së zyrtarëve në prokurimin publik nga ndikimet e jashtme, mungesa e profesionalizmit, si dhe e stafit të mjaftueshëm.
XS
SM
MD
LG