Ndërlidhjet

Politikë e së kaluarës, apo taktikë?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Liderë serbë në Beograd, vazhdojnë të japin deklarata të ashpra dhe nxitëse karshi Kosovës dhe udhëheqësve të saj.

Së fundi, presidenti serb Tomisllav Nikolliq, deklaroi se serbët në Kosovë janë duke jetuar nën kërcënimin e gjenocidit dhe se nuk e përjashton ndarjen në mes të rajoneve të banuara me serbë dhe atyre me shqiptarë.

Kjo është një prej deklaratave që zyrtarët e lartë në Serbi i kanë dhënë, e të cilët vazhdojnë të shprehen se Kosova është pjesë e Serbisë.

Analistët politikë në Kosovë dhe më gjerë, konsiderojnë se gjykuar nga deklaratat e deritashme të udhëheqjes së re në Serbi, raportet në mes të dy shteteve nuk mund të shkojnë drejt një normalizimi edhe për një kohë të gjatë.

Analisti Shneoll Muharremi thotë se deklaratat e liderëve serbë, janë deklarata të një mendësie të së kaluarës.

Nga deklaratat e liderëve në Serbi është e qartë që ata ende nuk kanë formuluar një politikë të qëndrueshme dhe koherente rreth Kosovës dhe se shpesh japin deklarata kontradiktore. Për shembull, përderisa Nikolliq ishte në Bruksel ai u zotua për bashkëpunim me BE rreth Kosovës dhe zbatim te marrëveshjeve dhe vazhdim të dialogut. Çuditërisht, ai deklaroj se fundmi për një largim te mundshëm masiv te serbeve te veriut dhe gjenocid – që për ne në Kosovë kjo tingëllon si film fantastik”, deklaron Muharremi për Radion Evropa e Lirë.

Nikolliq duke folur për pjesën veriore të Kosovës, në të cilën serbët nuk e njohin autoritetin e Prishtinës, ka thënë se çdo përpjekje e Prishtinës për të vendosur autoritetin atje do të çojë në shpërnguljen e serbëve.

Mirëpo, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë hedhur poshtë pretendimet e Nikolliqit se serbët e Mitrovicës do të rrezikoheshin nga qeverisja e Prishtinës.

Nga ana tjetër, drejtori i forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, Dushan Janjiq, thotë se kjo retorikë e deklaratave të ashpra në mes të Prishtinës dhe Beogradit, ka për qellim forcimin e pozicioneve të tyre para vazhdimit të dialogut mes dy vendeve.

Janjiq ka shtuar se deklarata e fundi e presidenti serb Nikolliq është një element i ri në kuadër të deklaratave të ashpra të tij që kanë vazhduar për më shumë se një muaj në drejtim të Kosovës.

Deklarata e tij, me siguri se mund të konsiderohet si një alarm, apo një lloj i krijimit të përcaktimit të pozicioneve negociuese, por nuk mund të flitet për një kërcënim me armë apo dhunë. Në anën tjetër, edhe Prishtina në pritje të rifillimit të dialogut po tenton t’i forcojë pozicionet fillestare. Kështu unë do ta interpretoja ketë nervozë dhe retorikë të ashpër, por edhe si trashëgimi të se kaluarës dhe mosbesimit nga të dy anët”, shprehet Janjiq.

Ai konsideron se komuniteti ndërkombëtar, deklaratat e fundit duhet t’i marrë shumë më seriozisht se sa ato që i ka marrë parasysh deri më tash.

Mendoj se Kethrin Eshton do të duhej që sa më shpejt të reagojë, në mënyrë që të fillojë një diplomaci përgatitore apo të përcaktojë kornizat e dialogut, sepse në fund këto deklarata mund të shërbejnë për qëllimin e vet. Kjo tani krijon frikën dhe inkurajon njerëzit për lëvizje. Që të jem më i saktë, as Thaçi e as Rexhepi nuk mendoj se janë duke kërcënuar serbët, apo që Nikolliqi është duke shkaktuar eksod masiv, por mendoj që e gjithë kjo mundet të kuptohet si një alarm”, deklaron Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, analisti kosovar, Shenoll Muharremi, thotë se Nikolliqi dhe Daqiqi, për të mirën e rajonit, serbëve të Kosovës, politikën dhe vendimet e tyre duhet t’i ndërmarrin duke u bazuar në të ardhmen evropiane të rajonit.

Me mendjet dhe politikat që kanë shkaktuar konfliktet në rajon, nuk zgjidhen problemet e tashme dhe nuk ndërtohet e ardhmja e rajonit. Andaj, nevojitet qasje e re e bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit me aleatët perëndimorë të rajonit, që agjendat politike të përfundojnë dhe t‘i hapim rrugë zhvillimit ekonomik të rajonit dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës, që do shtojnë mirëqenien e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, thekson Muharremi.

Formimin e qeverisë së re në Serbi, zyrtarët e institucioneve të Kosovës e kanë parë si një institucion me të kaluar të errët politike.

Kurse, për normalizimin e marrëdhënieve kanë deklaruar se janë dy parakushte kryesore, e para, tërheqja e njësive policore dhe formacioneve paramilitare nga veriu i Kosovës, dhe integrimi i veriut të Kosovës me Kosovën e tërë unike. Dhe, parakusht i dytë, njohja formale e Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG