Ndërlidhjet

Kosova me shumë mjekë specialistë të papunë


Ilustrim
Ilustrim
Kuadri specialistik mjekësor po ikën nga Kosova, për të kërkuar punë dhe kushte më të mira. Aktualisht, në regjistrin e Ministrisë së Shëndetësisë janë të paraqitur 150 mjekë specialistë, të cilët nuk kanë mundësi punësimi, kanë deklaruar zyrtarë shëndetësorë.

Kjo ka zgjuar një shqetësim të madh për zyrtarë të lartë qeveritarë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se dukuria e shpërnguljes së kuadrit profesional nga Kosova në Evropë e më gjerë, ka bërë që ministria që ai udhëheqë, të marrë masa për adresim të këtij problemi.

Ministri Agani ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se me të arriturat e fundit që ka pasur ministria, do të mund të zbusë situatën aktuale.

“Që ta parandalojmë këtë dukuri, ne kemi arritur, në dy konkurse të viteve 2011 dhe 2012, që bordi për shkollim specialistik dhe bordi për vazhdim të vazhdueshëm profesional, të marrin disa veprime dhe të realizojnë projekte që do të ndikojnë dukshëm në parandalimin e ikjes së kuadrit profesional nga Kosova. Tash për tash i kemi 720 mjekë në specializim dhe kjo është një arsye për moslargimin e mjekëve”.

“Në dy konkurset që janë zhvilluar vitin 2001- 2012 janë ndarë gjithsej 503 specializime: 341 për mjekësi të përgjithshme, 103 stomatologji 7 për farmaci dhe 13 të ndryshme me financim nga Ministria e Shëndetësisë për veteranët e luftës. Për nevojat e spitalit të Mitrovicës, janë ndarë 26 specializime, 18 për herë të parë për mjekët e komunës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, si dhe një për Malin e Zi”,
ka bërë të ditur Agani.

Nazane Breca, anëtare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se ikja e mjekëve nga Kosova është duke ndodhur, dhe këtë ajo e konsideron si një çështje shumë të ndjeshme dhe një humbje mjaft të madhe për vendin.

“Ikja e mjekëve nga Kosova është një çështje e ndjeshme dhe shumë e dhimbshme. Mjekët e rinj po ikin shumë nga Kosova, nga disa organizata që bëjnë organizimin për punësimin e tyre në Evropë, e sidomos në Gjermani. Ka shumë që shkojnë atje, angazhohen, e kryejnë specializimin dhe në të njëjtën kohë edhe punojnë. Kjo është një humbje shumë e madhe për ne, sepse shoqëria e jonë ka investuar në shkollimin e këtyre mjekëve dhe tash, nga shkollimi i tyre po përfiton një shtet tjetër”.

“Nëse vazhdon kështu, Kosova nuk do të ketë mjekë të rinj. Por jo vetëm këta (mjekët), po edhe profile tjera po ikin, dhe do të kemi një humbje shumë të madhe. Kryesisht ikin për shkak se nuk kanë mundësi punësimi. Andaj ky është një problem mjaft i madh. Por edhe profile tjera ikin për shkak se kushtet e punës dhe pagat nuk ju konvenojnë dhe jashtë vendit paguhen shumëfish më shumë dhe normalisht që gjejnë kushte më të volitshme për punë dhe paga më të mira”, është shprehur Breca.

Por, ministri Agani, ka deklaruar se me miratimin e Ligjit për shëndetësi, në Kosovë nuk do të ketë mjekë të papunë, dhe kjo, sipas tij, do të ndalojë mjekët që të ikin nga vendi.

“Ky problem përfundimisht do të zbutet me miratimin e Ligjit për shëndetësi, i cili me koston financiare e ka të paraparë punësimin e 100 specialistëve të rinj. Prej janarit të vitit 2013 çdo vit edhe 300 mjekë të rinj që kanë përfunduar Fakultetin e Mjekësisë, do të punësohen në viset rurale”, ka sqaruar Agani.

Pagat e ulëta në sektorin publik gjithashtu po shtyjnë mjekët nga lëmi të ndryshme që ta lëshojnë punën dhe të kërkojnë alternativa në sektorin privat.

Vetëm vitin e kaluar 7 mjekë specialistë e kanë lënë punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për t’u punësuar në sektorin privat.

Pagat e mjekëve specialistë janë mbi 500 euro, derisa infermierët për punën e tyre paguhen rreth 300 euro në muaj, në sektorin publik, pohon zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare.
XS
SM
MD
LG