Ndërlidhjet

Pakoja fiskale ndihmon sektorin privat


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet kompetente po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të ofruar lehtësi dhe mbështetje për komunitetin e biznesit. Në këtë rrafsh, Ministria e Financave, në kuadër të hartimit të pakos së re fiskale, ka përgatitur projektligjin për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor. Lidhur me këtë, Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, shpjegon më shumë:

“Përmes këtij projektligji, kemi për synim që të krijojmë një ambient më të favorshëm për zhvillim të biznesit, duke ofruar lirime doganore për mallrat që shfrytëzohen si lëndë e parë dhe që nuk prodhohen në Kosovë. Pastaj, për gjysmë produkte, për ambalazh, si dhe makinat të cilat shërbejnë për prodhime duke përfshirë këtu edhe linjat e prodhimit”, thotë Ibra.

Deri më tani kjo fushë ka qenë e rregulluar me një rregullore të UNMIK-ut, sqaron Ibra.

Në bazë të kësaj rregulloreje, sistemi doganor e ka shkallën e pagesës për 10 për qind. Edhe pse një numër i konsiderueshme i mallrave është i liruar nga tatimi doganor, por me projektligjin e ri, zgjerohet numri i mallrave të liruara nga ky tatim.

“Duke hartuar këtë projektligj, ne tashmë e rregullojmë me një ligj të miratuar në Kuvend. Dhe, synimi është që duke e zgjeruar listën e produkteve të liruara nga taksat doganore, ne do t’i ndihmojmë bizneset, veçanërisht ato prodhuese dhe gjithashtu do të zvogëlohet kostoja e prodhimit të tyre”.

“Shpresojmë se kjo do të stimulojë ngritjen e shkallës së investimeve private, qofshin ato brenda vendit, apo investimeve të huaja”
, sqaron Ibra.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se pakoja e re fiskale ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se çdo reformë e marrë nga ekzekutivi i vendit, ndihmon bizneset, të cilat edhe ashtu përballen me shumë vështirësi. Ai vlerëson se është barrë e rëndë, që bizneset për lëndën e parë të paguajnë në kufi taksën prej 10 për qind.

“Vetë fakti që do të lirohen disa lëndë të para, disa teknologji, nga taksa doganore, tregon se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave janë duke kuptuar se krizës së përgjithshme ekonomike duhet t’i përballemi vetëm me reforma, vetëm me hapa konkretë”.

“Kjo do ta ndihmojë biznesin vendor, do ta ndihmojë vetë buxhetin e konsoliduar të Kosovës për të mbledhur taksa të brendshme më shumë, sepse deri më tani ka qenë barrë e rëndë dhe e papërballueshme që të paguhet për lëndën e parë dhe për pajise teknologjike në kufi taksa deri në 10 për qind”
, thekson Shahini.

Sidoqoftë, ka vite që afaristët kosovarë kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që t’i ndryshojnë politikat fiskale, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e veprimtarive të tyre.

Ndërkaq, ekzekutivi i vendit, muajin e kaluar ka hequr Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar për media, universitet private dhe shërbimet spitalore.
XS
SM
MD
LG